
Me një paraqitje spektakolare në parket, Franca ka treguar edhe njëherë pse shihet si një nga favoritët kryesorë të EuroBasket 2025. “Gjelat” shkatërruan Islandën me shifrat 114:74, duke e mbyllur fazën e grupeve me bilanc 4-1 dhe duke siguruar vendin e parë në Grupin D.
Zaccharie Risacher ishte lojtari i ndeshjes me 15 pikë (6/8 saktësi) dhe 7 kërcime, ndërsa ekipi funksionoi në mënyrë të përsosur si një bllok i bashkuar.
Kapiteni Guerschon Yabusele theksoi se sekreti i Francës është miqësia dhe uniteti brenda ekipit:
“E njohim njëri-tjetrin shumë mirë dhe e mbështesim njëri-tjetrin në çdo moment. Kjo është forca jonë kryesore.”
Bilal Coulibaly shtoi se “lojë e shpejtë dhe mbrojtja e ashpër” janë armët me të cilat Franca ka imponuar ritmin ndaj çdo kundërshtari.
Edhe Sylvain Francisco e përforcoi këtë mesazh:
“Kur vrapojmë dhe i shënojmë goditjet tona, është e pamundur të na ndalë dikush. Jemi gati të përballemi me këdo.”
Me vendin e parë të siguruar, Franca do të udhëtojë drejt fazës eliminatore në Riga me shumë besim dhe ambicie, duke konfirmuar edhe një herë statusin e saj si superfuqi e basketbollit evropian.