
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, po dëshmon gjithnjë e më shumë se e njeh dhe e vlerëson thellësisht futbollin tonë.
Ai ishte i pranishëm në të dy ndeshjet evropiane të skuadrave kosovare këtë javë – fillimisht në sfidën Drita – Differdange, e më pas në atë Malisheva – Vikingur, të zhvilluara në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Që nga emërimi i tij, Foda nuk ka munguar pothuajse në asnjë përballje vendimtare të klubeve tona, duke përzgjedhur të jetë afër lojtarëve dhe trajnerëve, e jo në distancë siç ndodhte me paraardhësit e tij.

Ndërkohë që Challandes dhe Giresse shpesh ishin larg Kosovës gjatë periudhave kyçe, Foda është bërë një fytyrë e rregullt në tribuna.
Kjo vëmendje e vazhdueshme ndaj futbollit vendor po reflektohet edhe në listat e fundit të “Dardanëve”, ku lojtarët nga Superliga po zënë gjithnjë e më shumë vend.
Përzgjedhësi gjerman po tregon se besimi te futbolli vendor nuk është vetëm retorikë, por pjesë e qasjes së tij profesionale.