Fundi dramatik i ndez Shkodrën: Vllaznia shkatërron Partizanin në minutat shtesë

vllaznia - partizani 4-1
Vllaznia - Partizani 4-1

Vllaznia është rikthyer te fitorja në kampionat me një triumf spektakolar 4-1 ndaj Partizanit, në një përballje që u vendos vetëm në minutat e fundit, ndonëse shifrat mund të krijojnë një përshtypje të gabuar për rrjedhën e lojës.

Ndeshja në “Loro Boriçi” nisi me ritëm të lartë, ku vendasit dominuan me raste të shumta përballë portës së Alban Hoxhës, i cili u bë shpëtimtari i të kuqve në minutat e para, me disa pritje vendimtare. Megjithatë, ishte Partizani që kaloi i pari në avantazh, me golin e Isgandarlit në minutën e 26-të, pas një kundërsulmi të befasishëm.

Shkodranët reaguan me vendosmëri dhe arritën të barazonin shifrat përmes një penalltie të realizuar nga sulmuesi Bekim Balaj në minutën e 36-të, duke mbyllur pjesën e parë me rezultatin 1-1.

Pjesa e dytë nisi me më shumë kontroll nga ana e Vllaznisë, por pa konkretizim të qartë në sulm. Pavarësisht dominimit në posedim, ndeshja u duk se po shkonte drejt një barazimi, derisa erdhi shpërthimi në kohën shtesë.

Në minutën e 90+1’, Balaj riktheu avantazhin për Vllazninë me një tjetër penallti të kthyer në gol, duke përmbysur rezultatin. Vetëm dy minuta më vonë, Erdenis Hakaj goditi sërish, ndërsa në minutën e 90+7’, ishte rradha e Bismark për të vulosur fitoren e thellë 4-1.

Një sukses me peshë për Vllazninë, që jo vetëm e ngjit moralin, por i jep një goditje të fortë një rivali të drejtpërdrejtë në garën për kreun.

Vllaznia – Partizani 4-1

Golat: Balaj 36’ (p), 90+1’ (p), Hakaj 90+3’, Bismark 90+7’ –  Isgandarli 26’

 

 

Superiore, Java e Tretë: Tirana ndalet në shtëpi, Egnatia fiton në Ballsh