
Trajneri i Trepçës ’89 komenton ndeshjet e para në Ligën e Parë dhe pret me besim përballjen e mesjavës, ekskluzivisht për Kërlaçkin, Gani Sejdiu
Pas një barazimi pa gola ndaj Prizrenit dhe një fitore 2-1 ndaj Lirisë, Trepça ’89 ka nisur me ritëm të mirë sezonin në Ligën e Parë të Kosovës. Trajneri i skuadrës mitrovicase, Gani Sejdiu, në një prononcim ekskluziv për Kërlaçki, tha se është i kënaqur me ecurinë dhe shpreson në vazhdimësi pozitive, përfshirë edhe derbin e mesjavës ndaj Trepçës.
Start i mirë, fitorja ndaj Lirisë e kompenson barazimin në Prizren
“Mund ta konsiderojmë një nisje të mirë, edhe pse ndaj Prizrenit meritonim më shumë në bazë të asaj që treguam në fushë. Por fitorja ndaj Lirisë, në një ndeshje që e fituam me meritë dhe paraqitje cilësore, e ka kompensuar atë lëshim. Liria është ekip me kualitet dhe kjo e bën fitoren edhe më domethënëse”, deklaroi Sejdiu.
Derbi i Mitrovicës: “Besim te forca jonë”
Të mërkurën, Trepça ’89 përballet me rivalin lokal, Trepçën, në një nga derbit më të spikatur të Ligës së Parë. Sejdiu theksoi se pret një ndeshje të fortë dhe me rivalitet tradicional, por me synim të qartë për rezultat pozitiv.
“Derbi me Trepçën është gjithmonë interesant dhe me rivalitet të madh. Ata janë një skuadër cilësore që e ka dëshmuar këtë edhe në dy ndeshjet e para dhe me të drejtë konsiderohen pretendentë për Superligë. Por, ne jemi të përgatitur për këtë sfidë, kemi filozofinë tonë të lojës dhe një grup që beson fort në sukses”, theksoi ai.
Liga e Parë më konkuruese se kurrë
Sipas Sejdiut, unifikimi i Ligës së Parë e ka rritur ndjeshëm konkurrencën dhe gara për objektivat do të jetë e hapur deri në javën e fundit.
“Këtë vit, Liga e Parë është shumë konkuruese. Me këtë format të ri, është vështirë të parashikohet ndonjë favorit i qartë. Besoj që deri në fund asnjë ekip nuk do ta ketë të sigurt arritjen e objektivit pa luftuar fort çdo javë”, përfundoi trajneri i Trepçës ’89, Gani Sejdiu.
Trepça dhe Trepça ’89 takohen të mërkurën më 27 gusht nga ora 16:30 në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë.