Gjilani ka pësuar humbjen e parë sezonale në javën e dytë të Superligës së Kosovës, duke u mposhtur me rezultat 2-0 në udhëtim ndaj Dukagjinit në Klinë. Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë të sezonit ndaj Ballkanit, kjo disfatë ka nxitur pakënaqësi të mëdha mes tifozëve kuqebardhë.
Pas përfundimit të takimit, tifozët kanë reaguar ashpër në rrjetet sociale, duke kritikuar jo vetëm paraqitjen e skuadrës, por veçanërisht trajnerin Ardian Nuhiu dhe stafin e tij teknik. Më poshtë po sjellim disa nga komentet më të shpërndara nga tifozët në rrjete:
“Lojën e fitoi lufta dhe agresiviteti në fushë, gjë që ekipit tonë i mungonte totalisht. Asnjë lojtar nuk hynte në duele. Kur trajneri nuk është në gjendje të lexojë lojën dhe të motivojë ekipin, nuk mund të presim ndonjë përmirësim. Vitin e kaluar ishte dështim total dhe sot vetëm e konfirmoi këtë.”
“Sa më herët të shkarkohet trajneri, aq më mirë për klubin. Ka edhe lojtarë që marrin rroga të majme dhe nuk japin asgjë në fushë.”
“Trajneri duhej të shkarkohej sezonin e kaluar pas 5-6 javësh. Ka dështuar në objektiva, ka dalë nga Kupa ndaj një ekipi jo favorit dhe megjithatë i është besuar sërish. Tashmë është e qartë që nuk ka më çfarë të japë.”
“Heqni trajnerin, sillni dikë që e njeh futbollin. Tifozët po lodhen për këtë ekip, udhëtojnë dhe mbështesin me zemër, ndërsa në fushë nuk ka asgjë për t’u parë. E turpshme që humbëm nga një ekip me rezervistë të skuadrave tjera të Superligës.”