Limani

Gjykata Rajonale e Bielefeldit ka dënuar dy nga të afërmit e boksierit profesionist të vrarë, Besar Nimani. Vëllai i tij, Berat Nimani, u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa motra me pesë vjet heqje lirie.

“Akt gjakmarrjeje” – e përshkroi gjyqtari rastin

“Ky ishte një rast i jashtëzakonshëm për Bielefeldin”, deklaroi kryetari i trupit gjykues, Christoph Meiering, të hënën mbrëma gjatë shpalljes së vendimit. Ai theksoi se ngjarja ishte një akt vetëgjyqësie, pasi i pandehuri Berat Nimani nuk kishte më besim tek drejtësia apo policia pas vrasjes së vëllait të tij, duke marrë ligjin në dorë.

Burg i përjetshëm për Berat Nimanin

Berat Nimani u dënua për tentativë vrasjeje dhe sulm të rëndë fizik, pasi kishte qëlluar me armë ndaj anëtarëve të familjes së autorit të vrasjes së vëllait të tij. Sipas gjykatës, ai ushqente urrejtje të thellë ndaj tyre – diçka që doli në pah edhe nga letrat që kishte shkruar nga burgu.

Prokuroria kishte kërkuar një dënim më të butë

Prokuroria kishte kërkuar një dënim prej 12 vitesh për Berat Nimanin, por gjykata vendosi më rëndë. Edhe motra e tij u shpall fajtore për tentativë vrasjeje dhe u dënua me pesë vjet burg.

Shumë anëtarë të familjes së të pandehurve ishin të pranishëm në sallën e gjyqit kur u dha vendimi. Nëna e tyre shpërtheu në lot dhe u largua nga salla.

Konflikti mes familjeve shqiptare dhe kurde

Prej vitesh ekziston një përplasje mes dy familjeve me prejardhje shqiptare dhe kurde. Shkaku nuk është zbardhur plotësisht, por dyshohet se ka lidhje me trafikun e drogës. Konflikti kulmoi në mars 2024, kur boksieri Besar Nimani u vra me armë në qendër të vjetër të Bielefeldit nga një anëtar i familjes rivale – i cili tashmë është dënuar me burgim të përjetshëm, shkruan mediumi gjerman, wdr.de.

Një atentator ende në arrati

Një nga autorët e sulmit të fundit mbetet në kërkim. Ngjarja e fundit ndodhi në shkurt 2025, kur Berat Nimani hapi zjarr ndaj familjes rivale. Sipas gjykatës, edhe motra e tij qëlloi nga makina, por nuk goditi asnjë person.

Seanca e fundit me vonesa – mbrojtja kërkoi të ndryshojë akuzën

Dita e fundit e gjyqit nisi me vonesa. Megjithëse procesi i administrimit të provave ishte mbyllur, avokatët e mbrojtjes së Berat Nimanit dorëzuan tri kërkesa të reja për dëshmitarë. Qëllimi i tyre ishte të shmangnin akuzën për vrasje dhe dënimin e përjetshëm, duke pretenduar se i pandehuri ishte ndjerë në rrezik për jetën dhe kishte vepruar në vetëmbrojtje, thekson NW Bielefeld.

Ata kërkonin të dëshmohej se familja rivale e kishte kërcënuar vazhdimisht dhe se incidenti i 26 shkurtit 2025 para gjykatës së Bielefeldit kishte ndodhur nga frika për jetën. Por pas shqyrtimit, gjykata i rrëzoi kërkesat për prova shtesë. Vetëm atëherë u mbajtën tetë fjalët përfundimtare nga prokuroria, përfaqësuesit e viktimave dhe avokatët mbrojtës.