
Superliga e Kosovës këtë fundjavë sjell një nga përballjet më të zjarrta të sezonit – duelin mes Prishtinës dhe Ballkanit, që zhvillohet sot në Kompleksin Nacional në Hajvali nga ora 15:00.
Ndeshja e xhiros së tetë do të zhvillohet në Kampin Nacional në Hajvali dhe konsiderohet derbi i javës, për faktin se do të përplasen dy skuadrat kryesore të tabelës.
Prishtina, e drejtuar nga trajneri Arsim Thaçi, aktualisht kryeson tabelën me 16 pikë pas shtatë ndeshjeve të para. Kryeqytetasit kanë regjistruar 5 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje, duke treguar një formë të fortë që në start të kampionatit.
Nga ana tjetër, kampioni në fuqi, Ballkani i Orges Shehut, renditet i dyti me 15 pikë dhe është skuadra e vetme që ende nuk ka pësuar humbje këtë sezon. Therandasit kanë shënuar 4 fitore dhe 3 barazime, duke dëshmuar se vazhdojnë të mbeten një kundërshtar i vështirë për këdo.
Historiku i fundit mes këtyre dy ekipeve e bën sfidën edhe më intriguese. Në 10 takimet e fundit, bilanci është plotësisht i barabartë: Prishtina ka 2 fitore, Ballkani po ashtu 2 fitore, ndërsa gjashtë ndeshje janë mbyllur baras.
Përballja e fundit, më 3 maj 2025, i takoi Prishtinës me rezultat minimal 1:0, falë golit të Leotrim Kryeziut.
Të dy trajnerët pritet të hedhin në fushë formacionet më të mira, me synimin për të marrë pikët e plota në një duel që mund të përcaktojë ritmin e luftës për titull.
Prishtina kërkon të forcojë pozitën e liderit, ndërsa Ballkani do të synojë ta rimarrë kreun dhe të mbetet i pamposhtur në kampionat.