
Përfaqësuesja U20 e Kosovës në basketboll e ka përfunduar Kampionatin Evropian të Divizionit B, i cili u mbajt në Jerevan të Armenisë, në vendin e tetë.
Në ndeshjen e fundit, atë për pozitën e shtatë, Kosova U20 pësoi humbje të thellë nga Irlanda me rezultat 74:47.
Që në fillim të ndeshjes, Irlanda tregoi dominim të qartë – në çerekun e parë, Kosova shënoi vetëm pesë pikë, ndërsa pranoi 24. Edhe në çerekun e dytë, irlandezët vazhduan me lojë të fuqishme, duke e fituar periudhën me 25:14.
Pas pjesës së parë, rezultati ishte 49:19 në të mirë të Irlandës, çka praktikisht e mbylli ndeshjen që në këtë fazë.
Në përfundim të çerekut të tretë, Irlanda kryesonte me 66:31, ndërsa në dhjetë minutat e fundit Kosova arriti të ngushtojë disi rezultatin, por pa ndikim në ecurinë e lojës apo në fituesin e ndeshjes.
Rron Dahsyla dhe Mal Syla ishin më të dalluarit te Kosova. Dahsyla shënoi 11 pikë në 26 minuta lojë, ndërsa Syla kontribuoi me gjashtë pikë dhe tri kërcime në 12 minuta.