
Trajneri i Juventusit, Igor Tudor, ka konfirmuar se përforcimi i fundit i “Zonjës së Vjetër”, Edon Zhegrova, nuk do të jetë menjëherë në dispozicion për shkak të mungesës së gjatë prej nëntë muajsh nga fusha, por ka dhënë një afat se kur tifozët mund ta shohin kosovarin për herë të parë me fanellën bardhezi.
Zhegrova iu bashkua Juventusit ditën e fundit të merkatos verore për një shumë prej 18 milionë eurosh me bonuse, duke ardhur nga Lille së bashku me Lois Openda. Megjithatë, kosovari nuk ka luajtur që nga dhjetori i vitit 2024 për shkak të një dëmtimi serioz në muskujt aduktorë, që e mbajti jashtë gjithë pjesës së dytë të sezonit në Ligue 1.
Pavarësisht historikut të tij mjekësor, Juventusi vendosi ta finalizojë marrëveshjen me Lille dhe e solli Zhegrovën në Torino.
Në konferencën për shtyp para derbit të madh ndaj Interit këtë fundjavë, Tudor theksoi se Zhegrova ka nevojë për kohë që të rikthejë formën fizike:
“Kanë ardhur dy lojtarë për të na ndihmuar. Openda menjëherë, Edon jo, sepse vjen pas një periudhe të gjatë pa luajtur. Tani ai duhet të rifitojë kondicionin, forcën, këmbët dhe mushkëritë. Nuk do të jetë në listë për dy ndeshjet e ardhshme, e më pas, nga sfida me Veronën, do ta fusim gradualisht në skuadër”, – u shpreh Tudor.
Juventusi luan fillimisht kundër Interit në Serie A, më pas pret Borussia Dortmund në Ligën e Kampionëve, të dyja në Torino. Pas këtyre dy sfidave, më 20 shtator, bardhezinjtë udhëtojnë te Hellas Verona, një ndeshje ku pritet që Zhegrova të marrë minutat e para me fanellën e re.