
Hajduk mori një fitore 2-1 ndaj Dinamo City në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të UEFA Conference League, në një “Poljud” të mbushur me mbi 33 mijë tifozë.
Kroatët mbeten favoritë për kualifikimin, por Dinamo tregoi karakter, ndërsa fituesi i këtij dueli do përballet me Silkeborg ose Jagiellonia.
Ilir Daja e cilësoi të vështirë të luash në një atmosferë të tillë, por theksoi se ekipi i tij e nisi mirë sfidën, krijoi raste dhe luajti mirë në pjesën e parë.
“Problemet nisën në 15-20 minutat e para të fraksionit të dytë, kur humbja e shumë topave solli rënie fizike dhe gabime të panevojshme, duke lejuar një gol të lehtë”.
“Në kthim, para tifozëve tanë, do të bëjmë maksimumin për të kaluar tutje. Në Evropë nuk mund të falësh këto gabime, por të humbasësh me një gol ndaj një ekipi si Hajduku nuk është keq,” u shpreh Daja.
Trajneri shqiptar vlerësoi atmosferën fantastike në “Poljud” dhe shpreson që një mbështetje e ngjashme, madje edhe më e madhe, t’i presë në Shqipëri. Ai pranoi se shanset janë lehtësisht në favor të kroatëve (60-40), por në futboll asgjë nuk është e sigurt.
“Ishte fantastike. Futbolli luhet për tifozët. Mendoj se do të kemi të njëjtën mbështetje në fushën tonë, madje edhe nga tifozët e tjerë shqiptarë. Do të ketë një atmosferë të mirë”.
“Kjo është përvoja jonë e parë europiane pas 15 vitesh dhe shumë lojtarë debutuan. Pavarësisht gabimeve, kjo ndeshje na shërben për të mësuar dhe për t’u rritur,” deklaroi Daja.