
Ish-kryetari i FC Prishtina, Remzi Ejupi, ka akuzuar Federatën e Futbollit të Kosovës për paaftësi dhe mungesë guximi në zbatimin e kritereve ligjore për licencimin e klubeve. Në një reagim në rrjetet sociale, ai ka theksuar se pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, Federata nuk po arrin të përmbushë standardet e kërkuara, duke anashkaluar plotësisht rregullat që do të duhej të zbatoheshin për garim në Superligë.
“Federata s’ka guxim t’i licencojë klubet”, shkruan Ejupi.
Sipas tij, sistemi aktual nuk kërkon nga klubet as kritere financiare, as organizative apo profesionale, me qëllim ruajtjen e qetësisë së tyre dhe përfitimeve elektorale brenda strukturave të FFK-së. Ai rikujton se në periudhën para pranimit ndërkombëtar, ekzistonte njëfarë rregulli, ndryshe nga sot kur gjithçka është lënë pas dore.
Ejupi shpreh shqetësim edhe për mungesën e vëmendjes ndaj gjeneratave të reja, duke kritikuar rregulloren që lejon pjesëmarrjen e pakufizuar të lojtarëve të huaj në klube:
“Për t’i mbështetur gjeneratat e reja do të duhej të vihej një standard ku do të merrnin pjesë në çdo lojë maksimum dy lojtarë të huaj. Pra, talentet në Kosovë nuk kanë kurrfarë mbështetje.”
Ai thekson se çdo klub duhet të mbrojë tregun vendas përpara se të marrë licencën. Ndërkohë, përmend edhe Ligjin për Sponsorizim, të cilin e cilëson si më të mirin në rajon, por që, sipas tij, po keqpërdoret:
“Ky Ligj është bërë me sakrificë. Fatkeqësisht, në futbollin kosovar nuk ka kurrfarë kriteri, kurrfarë standardi.”
Ejupi ndalet edhe te rënia e shikueshmërisë në futbollin kosovar, një temë që ai e lidh me mënyrën e menaxhimit të të drejtave televizive:
“Ju morën klubeve të drejtat televizive, ju keqpërdorën, tash nuk shpreh interesim askush për t’i marrë ato… Si të presim që të kemi shikueshmëri dhe kthim të shikueshmërisë!?”
Sipas tij, mungesa e profesionalizmit dhe skandalet e vazhdueshme kanë ndikuar drejtpërdrejt në rënien e interesimit të publikut dhe në humbjen e besimit ndaj drejtuesve aktualë të FFK-së, ka thënë ndër të tjera ish-kryetari i FC Prishtina, Remzi Ejupi.