
KB Peja ka zyrtarizuar afrimin e amerikanit Jordan Johnson për sezonin 2025/26. Mbrojtësi i organizimit 30-vjeçar, me gjatësi 1.82 metra, rikthehet në Superligën e Kosovës pas pesë vitesh.
Johnson kishte luajtur më parë në Kosovë gjatë edicionit 2019/20, me Prishtinën regjistroi mesatare prej 19.8 pikësh, 3.3 kërcimesh dhe 6.5 asistimesh për ndeshje. Përvoja e tij ndërkombëtare përfshin kampionate në Holandë, Ukrainë, Gjermani, Britani të Madhe, Turqi dhe së fundmi në Sllovaki.
Në katër sezonet e fundit, amerikani ka ruajtur vazhdimësi në paraqitje, duke shënuar mesatarisht 15 deri në 18 pikë për ndeshje, si dhe mbi 6 asistime.
Një tjetër risi për tifozët verdh e zi është ribashkimi i Johnson me Tajh Green, me të cilin kishte ndarë fushën te Newcastle Eagles në Britani.
Basketbollisti amerikan tashmë ka nisur stërvitjet nën drejtimin e trajnerit Greg Gibson dhe pritet të jetë një nga pikat kyçe të skuadrës pejane për sezonin e ri.