Kampet ndërkombëtare të futbollit në Prishtinë: Zhvillim talentësh apo spektakël marketingu?

Në Prishtinë po zhvillohen prej kohësh kampet e klubeve të mëdha ndërkombëtare si Milan, Barcelona dhe Galatasaray, të cilat shpesh duken më shumë si spektakle të organizuara për marketing dhe fitim të shpejtë, sesa si platforma të mirëfillta për zhvillimin e talenteve të rinj.

Kampi i Milanit, i organizuar nga “KD Events Communication” nga 9 deri më 13 korrik, kërkoi një pagesë prej 300 eurosh për vetëm pesë ditë stërvitje, raporton “Kërlaçki”.

Faqja zyrtare e kampit prezantoi pesë trajnerë italianë për të punuar me rreth 200 fëmijë, ndërsa pjesa tjetër e stafit përbëhej nga trajnerë vendorë (12).

Ironikisht, kampi i parë i Milanit në Kosovë, i organizuar në vitin 2010, u mbajt pa pagesë dhe me pjesëmarrjen e qindra fëmijëve.

Në mesin e tyre ishte edhe Edon Zhegrova, që u shpall lojtari më i mirë i kampit dhe më pas u afirmua si një nga zbulimet më të mëdha në historinë e futbollit vendor.

300 euro për pesë ditë pjesëmarrje në kampin e milanit në prishtinë

Pak më herët, nga 27 deri më 31 maj, u mbajt kampi i Barcelonës, i organizuar nga Klubi i Vajzave të Futbollit Prishtina.

Çmimi ishte i përafërt, ndërsa morën pjesë mbi 300 djem dhe vajza.

Në muajin qershor, organizatorët mbajtën këtë kamp edhe në Shkup të Maqedonisë së Veriut, duke e zgjeruar aktivitetin përtej kufijve të Kosovës.

Nga 1 deri më 5 korrik u mbajt edhe kampi i Galatasarayt, me një kosto prej 240 eurosh, i organizuar nga KA SportManagement.

Stërvitjet me qindra fëmijë, dy kampet i mbajtën në Kampin Nacional të Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali.

mbi 300 djem dhe vajza morën pjesë në kampin e barcelonës
kampi i galatasarayt i mbajtur në fillim të muajit

Ish-futbollisti i njohur që ka luajtur për Lirinë, Vëllaznimin, Besën e shumë skuadra të vendit, Fatih Karahoda, ka shprehur kritika për këtë trend në rritje.

Sipas tij, këto kampe janë më shumë ‘xixë’ dhe ‘ambalazh’ për të tërhequr prindërit dhe fëmijët që ëndërrojnë për një karrierë në futbollin profesional, sesa platforma ku punojnë trajnerë me përvojë për të zhvilluar realisht aftësitë teknike dhe taktike të fëmijëve.

“Kampi i Milanit, Barcelonës dhe tani Galatasarayt – mos më keqkuptoni, por nuk ka asgjë reale në këto kampe, përveç biznesit”.

“Futbolli nuk mësohet në pesë ditë, as talentet nuk zbulohen në këtë periudhë të shkurtër”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

fatih karahoda këto kampe janë veç biznes futbolli nuk mësohet për pesë ditë

Megjithatë, për shumë familje dhe fëmijë, këto kampe mbase edhe përfaqësojnë një përvojë interesante – me uniforma zyrtare, emra të njohur dhe një ndjesi afrimit me futbollin e madh.

Por përtej entuziazmit fillestar dhe atmosferës festive – shkruan tutje “Kërlaçki” – mbetet pyetja thelbësore: çfarë mbetet pas pesë ditëve stërvitje?

Pa strukturë të qëndrueshme, pa ndjekje të vazhdueshme dhe pa përfshirje më të thelluar të trajnerëve profesionistë, këto kampe rrezikojnë të mbeten vetëm ngjarje sezonale me shkëlqim sipërfaqësor – më shumë investim në iluzion sesa në zhvillim të vërtetë.

kampi i barcelonës në prishtinë