
Për herë të parë në histori, Kampionatet Botërore të Volejbollit do të zhvillohen në SHBA, Kanada dhe Katar. Federata Ndërkombëtare e Volejbollit (FIVB) dhe Volleyball World kanë konfirmuar zyrtarisht se edicioni i femrave për vitin 2027 do të organizohet nga SHBA dhe Kanada, ndërsa ai i meshkujve në vitin 2029 do të mbahet në Katar.
Vendimet historike u morën nga Bordi Administrativ i FIVB gjatë mbledhjes që u zhvillua paralelisht me Kampionatin Botëror për Meshkuj Filipinet 2025. Procesi i aplikimeve ishte shumë konkurrues, duke reflektuar interesin global në rritje për të mirëpritur këtë ngjarje madhore të volejbollit.
Me Poloninë tashmë të konfirmuar si vendi pritës për Kampionatin Botëror për Meshkuj 2027, bashkë-organizimi nga SHBA dhe Kanada për turneun e femrave kompleton listën e vendeve pritëse për atë vit. Kjo do të jetë hera e parë që këto dy vende mikpresin një Kampionat Botëror të FIVB, duke ndërtuar një atmosferë festive për volejbollin në prag të Lojërave Olimpike Los Angeles 2028.
Finalet e turneut të femrave në 2027 do të zhvillohen në Honda Center dhe OCVIBE në Anaheim, Kaliforni. Katër qytete të tjera pritëse në SHBA dhe Kanada do të zbulohen së shpejti për fazat e grupeve dhe të 1/8-ave. Bashkë-organizimi pasqyron rritjen e popullaritetit të volejbollit në të gjitha nivelet – nga të rinjtë, në kolegje, deri te niveli profesionist.
Dy vite më vonë, në vitin 2029, Kampionati Botëror për Meshkuj do të zhvillohet për herë të parë në Lindjen e Mesme, me Katarin si vend mikpritës. I njohur për organizimin e eventeve të klasit botëror, Katari pritet të ofrojë një përvojë unike dhe të lërë një trashëgimi të qëndrueshme për sportin e volejbollit në rajon. Ndeshjet do të zhvillohen në kryeqytetin Doha.
Presidenti i FIVB, Fabio Azevedo, u shpreh:
“Jemi krenarë që konfirmojmë jo një, por tre vende mikpritëse të jashtëzakonshme – SHBA, Kanada dhe Katar – për edicionet e ardhshme të Kampionateve Botërore të Volejbollit. Kjo është një hap i rëndësishëm për të rritur sportin tonë dhe për të përhapur vlerat tona të bashkëpunimit, integrimit, paqes dhe solidaritetit në mbarë botën.”
CEO i Volleyball World, Ugo Valensi, shtoi:
“Fakti që këto tre vende do të mikpresin ngjarjet tona më të mëdha tregon për vrullin global të volejbollit. Me hyrjen në tregjet dinamike të Amerikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme, po krijojmë përvoja të paharrueshme dhe lidhje të reja me tifozët nëpërmjet arenave, transmetimeve, platformave dixhitale dhe partneriteteve të reja.”
Kampionatet Botërore të Meshkujve dhe Femrave në volejboll janë ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare të këtij sporti. Çdo edicion përfshin 32 ekipet më të mira në botë dhe zhvillohet për 17 ditë me gjithsej 64 ndeshje. Që prej vitit 2023, këto kampionate luhen çdo dy vjet. Në edicionin e këtij viti, turneu i femrave u mbajt në Tajlandë dhe ai i meshkujve në Filipine.