Fortuna Dusseldorfi ka anuluar transferimin e futbollistit izraelit Shon Weissman pas reagimeve të tifozëve për postimet e tij në rrjetet sociale, të cilat shprehnin mbështetje për veprimet e Izraelit në Gaza.
Klubi ishte në negociata të avancuara për ta sjellë 29-vjeçarin nga Granada, por vendosi të tërhiqej nga marrëveshja pas kundërshtimeve të forta nga tifozët.
Fillimisht, Fortuna nuk dha një arsye të qartë për anulimin e transferimit, por më vonë publikoi një deklaratë zyrtare ku thuhej se qëndrimet publike të Weissmanit dhe mënyra se si ai i trajtoi ato nuk përputheshin me vlerat e klubit.
Presidenti i klubit, Klaus Allofs, mbrojti vendimin dhe theksoi se akuzat për antisemitizëm ndaj klubit janë të pabaza dhe absurde. Ai sqaroi se vendimi u mor pas konsultimeve me anëtarë të komunitetit hebre në Dusseldorf dhe se klubi kishte synuar të sillte një lojtar me kualitet, pa paragjykime. Sipas tij, një vendim më i shpejtë do të kishte qenë i dëshirueshëm, por procesi kërkonte kujdes.
Ndërkohë, Weissman e kishte bërë llogarinë e tij në rrjetet sociale “private” pas reagimeve dhe kishte munguar në një ndeshje në Spanjë për arsye sigurie, pasi autoritetet ishin të shqetësuara për një atmosferë armiqësore nga tifozët e Osasunas, të irrituar nga postimet e tij.