
Përfaqësuesja e Kosovës në volejboll do të zhvillojë sonte ndeshjen e radhës në kuadër të kualifikimeve për CEV EuroVolley 2026, duke u përballur me Sllovakinë. Takimi do të luhet në Pallatin e Sporteve “Bill Klinton” në Ferizaj, me fillim nga ora 20:30, dhe hyrja për tifozët do të jetë falas.
“Dardanët, të udhëhequr nga trajneri malazez Darko Prebiraçeviç – i cili debuton në një ndeshje zyrtare me përfaqësuesen – kanë përgatitur me kujdes këtë sfidë, me ndihmën e ndihmëstrajnerëve Skënder Lajçi dhe Valon Mustafa”, thuhet në njoftimin nga Federata.

Kjo është ndeshja e tretë për Kosovën në këto kualifikime, pas dy përballjeve të zhvilluara në verën e vitit të kaluar kundër Letonisë dhe Sllovakisë të cilat u humbën pastër 3-0 dhe pa asnjë set të fituar.
“Përfaqësuesja është e motivuar të shfrytëzojë përparësinë e fushës dhe mbështetjen e tifozëve për të arritur një paraqitje dinjitoze ndaj një kundërshtari me përvojë të madhe në arenën evropiane”, thuhet në njoftim të FVK-së, por sa do t’ia arrijë trajneri i ri të ndryshojë diçka në rezultat mbetët të shihet.