Përfaqësuesja e Kosovës U16 në basketboll ka pësuar humbje nga Danimarka me rezultat 62:87 (23:23, 20:14, 8:20, 11:30) në kuadër të Kampionatit Evropian, Divizioni B, që po zhvillohet në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Basketbollistët e Kosovës kanë pësuar edhe humbjen e tretë rresht në edicionin që po mbahet në Shkup. Megjithëse Dardanët e rinj e nisën mirë takimin, duke zhvilluar një çerek të parë të baraspeshuar që përfundoi 23:23. Në periudhën e dytë, Kosova dominoi lojën dhe e fitoi me rezultat 20:14, duke shkuar në pushim me epërsi 43:37.
Megjithatë, pas rikthimit në parket, periudha e tretë u tregua vendimtare. Danimarka e fitoi atë me rezultat 8:20, duke kaluar në epërsi 51:57 pas 30 minutash lojë. Në çerekun e fundit, danezët shtuan ritmin dhe e mbyllën ndeshjen me fitoren 62:87.
Te Kosova u dalluan Egzon Fazliu me 20 pikë dhe shtatë kërcime, si dhe Almir Dullovi me 16 pikë.
Kosova do të zhvillojë edhe dy ndeshje të tjera në fazën e grupeve: të hënën ndaj Ukrainës dhe të martën kundër Islandës.