
Java e gjashtë në Ligën e Parë: Vëllaznimi triumfon në Prishtinë, zhurmë dhe polemika në Vushtrri.
Janë zhvilluar sot ndeshjet e javës së gjashtë në Ligën e Parë të Kosovës, me dy përballjet kryesore që u transmetuan drejtpërdrejt në televizion. Takimi në Prishtinë u zhvillua në një atmosferë sportive të qetë, ndërsa në Vushtrri, siç ndodh shpesh në këtë stadium, nuk munguan tensionet, polemikat dhe incidentet.
Në kryeqytet, Vëllaznimi vijoi formën e mirë, duke mposhtur skuadrën e Ramiz Sadikut dhe duke i shkaktuar humbjen e parë sezonale, njëkohësisht duke forcuar pozitën në renditje me një tjetër ndeshje pa humbje.
Por ndeshja më e ndezur u zhvillua në Vushtrri, ku përballja mes vendasve dhe Lirisë së Prizrenit u shoqërua me shumë kontestime. Fillimisht, Liria kaloi në epërsi, por paraprakisht në zonë ishte rrëzuar Bujar Shabani. Pas rishikimit me VAR, goli u anulua dhe u akordua penallti për Vushtrrinë, e cila kaloi në avantazh. Ky vendim ndezi debat të madh në opinionin sportiv.
Polemikat vazhduan edhe në pjesën e dytë, kur Liria barazoi me një gol që fillimisht u anulua për pozicion jashtë loje, por më pas u konfirmua si i rregullt nga AVAR-i. Kjo shkaktoi pakënaqësi te vendasit dhe trajneri Armend Dallku reagoi publikisht përmes një postimi në Facebook, ku shprehu zhgënjimin ndaj këtij vendimi.
Pas përfundimit të ndeshjes, situata u tensionua edhe më shumë kur futbollistët e Lirisë nuk arritën të futeshin menjëherë në zhveshtore, për shkak të ndërhyrjeve nga publiku vendas, sidomos në debatin verbal me trajnerin, Klodian Duro. Megjithatë, pas ndërhyrjes së forcave policore, gjithçka u stabilizua pa ndonjë incident.