Mesfushori i talentuar 21-vjeçar, Leon Avdullahu, është kthyer në qendër të një beteje të fortë mes Kosovës dhe Zvicrës për ta siguruar në përfaqësueset e tyre.
I lindur në Zvicër me prejardhje nga Kosova, Avdullahu ka kaluar të gjitha nivelet e moshave të kombëtares helvetike, nga U15 deri te U21. Ky verë shënoi edhe një hap të madh në karrierë për të, pasi u transferua nga Baseli te Hoffenheimi në Bundesligë.
Pas vizitës së krerëve të FFK-së për ta bindur që të veshë fanellën e Kosovës, edhe Federata Zvicerane ka lëvizur shpejt. Selektori Murat Yakin e ka ndjekur nga afër në miqësoren ku Hoffenheimi fitoi 8:0 dhe raportohet se ka zhvilluar një bisedë të shkurtër me mesfushorin.
Avdullahu ka deklaruar se është pranë marrjes së vendimit final për shtetin që do të përfaqësojë. Interesant është fakti se më 5 shtator Zvicra dhe Kosova përballen në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026 – një ndeshje ku, në varësi të zgjedhjes së tij, mund të luajë për njërën kundër tjetrës.
Konkurrenca mes dy federatave është e fortë, pasi lojtari shihet si një investim afatgjatë për mesfushën e çdo kombëtareje që do ta fitojë.