
Mallorca i dha fund një serie prej tetë ndeshjesh pa fitore në transfertë në La Liga, duke përmbysur në mënyrë befasuese Sevillan me rezultatin 3-1.

Vedat Muriqi ka shënuar golin e tij të 5-të me skuadrën e Mallorcas. Gol shumë i rëndësishëm në fazë kruciale, barazoi rezultatin në minutën e 67-të me të majtën e tij.
🇽🇰🇪🇸 Muriqi with the equalizer against @SevillaFC 🤩
His 5th La Liga goal of the season 💪
— Kosovar Talents (@Kosovartalents) October 18, 2025
Pas një nisjeje të dobët me dy humbje radhazi, Sevilla ishte rikthyer në formë me katër fitore në gjashtë ndeshjet e fundit, përfshirë triumfin mbresëlënës 4-1 ndaj Barcelonës në javën e kaluar, që i kishte rritur ndjeshëm vetëbesimin. Dhe kjo u duk kur kaluan në epërsi vetëm pas 16 minutash lojë. José Ángel Carmona gjeti hapësirën për të dërguar një kros nga vija fundore, duke shërbyer për Rubén Vargas, i cili e ndali topin me gjoks dhe më pas shënoi mes këmbëve të portierit Leo Román – goli i tij i dytë sezonal.
Pjesa e parë nuk pa shumë nga Mallorca, megjithatë rreth minutës së 30-të ata iu afruan barazimit me goditjen e parë serioze në portë: një tentativë nga Jan Virgili brenda zonës, që po shkonte drejt cepit të sipërm të majtë, u ndal nga një ndërhyrje vendimtare e portierit Odysseas Vlachodimos. Statistikat nuk ishin në favor të mysafirëve – në pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit, rezultati i pjesës së parë ishte ruajtur edhe në fund të takimit – ndaj nevojitej një reagim i fortë në pjesën e dytë.
Mallorca u rikthye nga pushimi me më shumë vendosmëri dhe rrezikoi seriozisht që në minutën e parë të pjesës së dytë, kur sërish Virgili testoi Vlachodimos, por pa sukses. Loja e skuadrës mysafire u përmirësua ndjeshëm, dhe barazimi erdhi me të drejtë rreth 20 minuta para fundit: një asist i Virgilit në zonë u konkretizua nga Vedat Muriqi, që mposhti portierin grek me një goditje të fuqishme në shtyllën e parë.
Në atë moment, alarmet nisën të bien për Sevillan, që kishte fituar vetëm dy nga 14 ndeshjet e fundit në shtëpi. Frika e tyre u kthye shpejt në realitet. Johan Mojica asistoi nga fundorja dhe gjeti Mateo Joseph, i cili realizoi nga qendra e zonës për të përmbysur rezultatin. Vetëm pesë minuta më vonë, Mateo depërtoi sërish në zonë dhe shënoi golin e tretë personal dhe të skuadrës, duke vulosur një përmbysje spektakolare për “Pirates”.
Fitorja e dytë për Mallorcën në 11 përballjet e fundit direkte i largon ata nga vendi i fundit, duke i ngjitur pesë pozicione më lart, në vendin e 15-të. Ndërkohë, Sevilla mbetet e shtata, një hap larg zonës së kompeticioneve europiane.