Me Modriç – vjen edhe fitorja e dytë radhazi në Serie A për Milan

luka modriç
Luka Modriç

AC Milan është tashmë e pamposhtur në 10 ndeshjet e fundit ndaj Bolognës në “San Siro”, pasi mbrëmjen e djeshme regjistroi një tjetër fitore minimale 1-0 në Serie A.

Para ndërprerjes për ndeshjet ndërkombëtare, kuqezinjtë siguruan fitoren e parë në kampionat nën drejtimin e Massimiliano Allegrit në rikthimin e tij te Milani, duke mposhtur Lecce 2-0. Ata u futën me vendosmëri edhe në këtë përballje, ndërsa Bologna vinte pas një suksesi ndaj Comos në fund të gushtit. Santiago Giménez kërcënoi i pari portën mike, por Skorupski reagoi mirë. Në anën tjetër, Bologna mendoi se kishte kaluar në avantazh me Cambiaghin, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Pak më vonë, Riccardo Orsolini detyroi Maignan të ndërhynte, ndërsa Pervis Estupiñán goditi shtyllën pas një veprimi individual të bukur. Megjithatë, loja ra në intensitet dhe pjesa e parë përfundoi pa ndonjë rast të madh tjetër.

Pas pushimit, Milani mori kontrollin e lojës dhe e shtyu më shumë Bolognën drejt portës. Në minutën e 60-të, veterani Luka Modrić realizoi golin e vetëm të takimit. Edhe pse festoi 40-vjetorin këtë javë, fituesi i “Topit të Artë” tregoi klas dhe përvojë, duke nisur dhe finalizuar një aksion kuqezi për të shënuar golin e parë me fanellën e Milanit që prej transferimit nga Real Madrid këtë verë. Më pas, zëvendësuesi Samuele Ricci provoi me një goditje nga distanca, por pa sukses.

Bologna nuk arriti të reagojë me forcë, edhe pse Maignan u detyrua të linte fushën për shkak dëmtimi, duke i lënë vendin Terraccianos. Milanit iu afrua edhe një herë goli i dytë, por Giménez goditi shtyllën pasi shmangu portierin polak.

Gjithsesi, një gol mjaftoi për Allegrin që të marrë fitoren e dytë në tri javët e para të kampionatit – diçka që e arrin për herë të parë në pesë sezonet e fundit me kuqezinjtë. Në anën tjetër, Bologna regjistroi humbjen e pestë në gjashtë ndeshjet e fundit të kampionatit dhe ka shënuar vetëm një gol deri më tani. Trajneri Vincenzo Italiano ka shumë punë përpara në javët që vijnë.