Haiti është kualifikuar për herë të dytë në historinë e tij në Kupën e Botës, pas fitores 2-0 ndaj Nikaraguas. Një arritje historike që vjen pas më shumë se pesë dekadash – që nga pjesëmarrja e vetme në vitin 1974. Por ajo që e bën këtë sukses edhe më të jashtëzakonshëm është historia e trajnerit të ekipit.
Sebastien Minge, 52-vjeçar nga Franca, drejton kombëtaren e Haitit pa e vizituar kurrë vendin. Për shkak të situatës kritike të sigurisë – ku bandat e armatosura kanë zhytur vendin në kaos të vazhdueshëm – trajneri punon në distancë dhe nuk ka qenë asnjëherë fizikisht në Haiti.
HAITI ARE INTO THEIR FIRST WORLD CUP IN HALF A CENTURY ❤️ pic.twitter.com/GozOLqXUBb
— CBS Sports Golazo ⚽️ (@CBSSportsGolazo) November 19, 2025
“Thjesht nuk është e mundur, është shumë e rrezikshme”, ka deklaruar Minge për revistën France Football, duke shtuar se mbështetet te federata vendase për organizimin dhe logjistikën.
Ndeshjet “shtëpiake” Haiti i zhvillon në ishullin Curaçao, rreth 800 kilometra larg territorit të vet. Pikërisht atje, larg publikut vendas dhe stadiumeve kombëtare, kjo skuadër ka arritur të shkruajë një faqe të re në historinë e saj.
Skuadra përfaqësuese ka një përbërje ndërkombëtare, me futbollistë që kanë lindur ose janë rritur jashtë Haitit. Ndër ta spikat mesfushori i Wolverhampton-it, Jean-Ricner Bellegarde, ndërsa në planet e federatës është edhe sulmuesi i Sunderland-it, Wilson Isidor. Megjithatë, më shumë se gjysma e lojtarëve janë të lindur në Haiti ose janë fëmijë emigrantësh haitianë.
Në edicionin e vitit 1974, Haiti u eliminua pas humbjeve ndaj Italisë, Polonisë dhe Argjentinës, duke përfunduar i fundit në grup. Por, njësoj si atëherë, edhe këtë herë vetë kualifikimi përfaqëson një sukses madhor për kombin.
Kupa e Botës 2026, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada, do të mirëpresë gjithashtu përfaqësueset e Panamasë dhe Curaçaos nga rajoni i CONCACAF.