
Një ndër sfidat më të mëdha të Serie A do të zhvillohet sonte në mbrëmje, kur Napoli – lider i kampionatit – do të udhëtojë drejt “San Siro”-s për t’u përballur me AC Milan, që aktualisht mban vendin e tretë.
Pas fitimit të një tjetër titulli kampion nën drejtimin e Antonio Contes sezonin e kaluar, gjithçka po shkon sipas planit për Napolin, i cili është i vetmi ekip në ligë me një ecuri të përsosur – katër fitore në katër ndeshje.
Në kampin tjetër, Milani i Massimiliano Allegrit po kalon një formë të mirë, me tre fitore dhe një humbje në katër takime. Amerikanit Christian Pulisic i kanë mjaftuar këto ndeshje për të shënuar tre gola – më shumë se çdo lojtar tjetër në kampionat.
De Bruyne, rreziku kryesor për Milanin
Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet edhe afrimit të bujshëm të Napolit, Kevin De Bruyne. Mesfushori belg është përshtatur menjëherë me ekipin dhe ka vijuar me të njëjtin nivel si te Manchester City, duke shënuar dy gola dhe duke ndërtuar lojën me pasimet e tij karakteristike.
Milanit i duhet të jetë i kujdesshëm ndaj depërtimeve të tij në zonë, pasi ato mund të jenë vendimtare për rezultatin.
Statistika që nuk flasin në favor të Milanit
Napoli nuk ka humbur në transfertë në Serie A që nga 23 shkurti, kur u mposht nga Como. Dhe në 11 ndeshjet e fundit mes këtyre dy ekipeve në “San Siro”, Milani ka fituar vetëm tre herë, duke barazuar tre dhe humbur pesë.
Në tri nga gjashtë përballjet e fundit, Napoli ka shënuar nga dy gola, ndërsa Milani e ka arritur këtë vetëm një herë – në barazimin 2-2 të tetorit 2023. Në takimin e fundit mes tyre, Napoli fitoi 2-1 me gola të Politano dhe Lukakut. Jovic shënoi për Milanin në minutën e 84-të. Lukaku, ndërkohë, do të mungojë për këtë takim për shkak dëmtimi.
Statistika mbresëlënëse nga të dy ekipet
Napoli vjen pas një fitoreje 3-2 ndaj Pizës në stadiumin “Diego Armando Maradona”, ndërsa Milani shkatërroi Udinesen 3-0 në transfertë.
Të dy ekipet janë të barabarta për saktësinë e pasimeve (89%) – më e larta në Serie A. Napoli udhëheq në numrin e goditjeve në portë (25) dhe numrin total të pasimeve (2,234). Ata ndodhen të dytët për gola të shënuar (9 – pas Interit me 11), tentativa për gol (65) dhe efikasitet në goditje (21%).
Milan udhëheq për numrin e portave të paprekura (3) dhe është gjithashtu i dyti për tentativa në portë (65). Por në shumë aspekte të tjera, Rossonerët kanë ende nevojë për përmirësim – dhe ndeshja ndaj kampionëve është momenti ideal për ta bërë këtë.
Bilanc i barabartë, duel që premton spektakël
Në disa statistika, të dy skuadrat janë shumë të barabarta. Politano (Napoli) dhe Santiago Gimenez (Milan) kryesojnë me nga 13 goditje secili. Gimenez, Pulisic dhe McTominay kanë nga pesë goditje në portë – më shumë se çdo lojtar tjetër i ekipeve respektive.
Politano ka krijuar më shumë raste për gol (9), shifër e barabartë me Luka Modric dhe më shumë se Pulisic e Saelemaekers (7).
Një element interesant është momenti kur këto skuadra zakonisht shënojnë: Milani është më aktiv para pushimit dhe menjëherë pas tij, ndërsa Napoli është i rrezikshëm në fillim dhe në fund të takimeve. Megjithatë, Milani nuk ka pësuar asnjë gol pas minutës së 60-të këtë sezon, çka do ta vështirësojë misionin e Napolit nëse ndeshja mbetet e barabartë në ato minuta.
Napoli, i pamposhtur por i dëmtuar
Napoli ka 16 ndeshje radhazi pa humbje në Serie A dhe nëse shënon i pari, mund të jetë vendimtar, pasi Milani nuk ka arritur të fitojë asnjë ndeshje këtë sezon kur ka pësuar golin e parë.
Gjithsesi, skuadra e Contes po përballet me mungesa të rëndësishme: Lukaku mungon që para nisjes së sezonit, ndërsa portieri Contini është jashtë që prej 11 shtatorit për shkak të një dëmtimi në dorë. Së fundmi janë shtuar edhe Pasquale Mazzocchi dhe Alessandro Buongiorno. Në krahun tjetër, Milani ka vetëm një mungesë – Ardon Jashari.
Me kaq shumë në lojë që në këtë fazë të sezonit, sfida e së dielës pritet të jetë nga më tërheqëset e këtij edicioni në Serie A.