Precedent: Federata Serbe e Futbollit nuk nxjerr në shitje biletat për ndeshjen ndaj Shqipërisë – rrezikohet pezullimi i Serbisë nga kualifikueset

Shqipëri - Serbi
Shqipëri - Serbi

Federata Serbe e Futbollit (FSS) ka publikuar një deklaratë të rëndësishme përpara ndeshjes kundër Shqipërisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror që zhvillohet vitin e ardhshëm, njofton NovaSport, përcjellë Këlaçki.

Sipas njoftimit zyrtar të FSS, përballja më e rëndësishme e Serbisë në këto eliminatore nuk do të ketë bileta në shitje të lirë për publikun.

Portali Nova.rs raporton se Serbisë i kanoset përjashtimi nga gara kualifikuese dhe një pezullim dyvjeçar nëse ndodh ndonjë incident serioz gjatë ndeshjes.

Takimi ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë zhvillohet më 11 tetor (e shtunë), në orën 20:45, në stadiumin “Duboçica” të Leskovcit. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se stadiumi do të jetë bosh.

Kush do të lejohet në stadium?

Sipas deklaratës së FSS:

“Bazuar në vlerësimin e FIFA-s, udhëzimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, konsultimet me UEFA-n, dhe mbi të gjitha përvojat e këqija nga ndeshja e ndërprerë në vitin 2014, që e privoi përfaqësuesen tonë nga pjesëmarrja në një kompeticion madhor, Komiteti i Emergjencës i FSS-së ka vendosur që për ndeshjen kundër Shqipërisë të mos nxirren bileta në shitje.”

Pjesëmarrja në tribuna do të bëhet përmes shpërndarjes së biletave në komunitetin e futbollit: federatat rajonale, klubet, akademitë e futbollit dhe prindërit e tyre, organizatat profesionale të futbollit, sponsorët zyrtarë dhe mysafirët e FSS-së, përfaqësuesit e akredituar të mediave dhe ekipet mjekësore apo teknike të përfshira në organizimin e ndeshjes.

Hyrja në stadium do të mundësohet vetëm me bileta të personalizuara dhe pas verifikimit të dokumenteve identifikuese (letërnjoftim ose pasaportë), si dhe me kontrolle të rrepta sigurie, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.

Pse ky vendim ekstrem?

FSS kujton incidentin e vitit 2014 në Beograd, kur ndeshja ndaj Shqipërisë u ndërpre dhe Serbia humbi mundësinë për të marrë pjesë në Euro 2016.

Për këtë arsye, autoritetet serbe në bashkëpunim me UEFA-n, FIFA-n dhe institucionet përkatëse po ndërmarrin masa të jashtëzakonshme për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e takimit.

Ky duel është shpallur si ndeshje me “rrezikshmëri të lartë” nga FIFA, MPB e Serbisë dhe FSS. Për këtë arsye, FIFA ka dërguar dy zyrtarë sigurie në Leskovc, ndërsa nuk do të lejohen tifozët mysafirë, për të shmangur tensionet dhe për të ruajtur rendin publik.

Thirrje për qetësi

“FSS u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve që të kontribuojnë me sjellje të denjë dhe sportive, për të krijuar një atmosferë të ndershme që i jep përfaqësueses së Serbisë kushtet më të mira për të arritur një rezultat pozitiv në fushë”, thuhet në deklaratë.

Situata në grup

Aktualisht, Shqipëria ka një pikë dhe një ndeshje më shumë se Serbia. Ndërsa Anglia është e para me pesë fitore në po aq ndeshje, pritet që Shqipëria dhe Serbia të luftojnë deri në fund për një vend në fazën play-off.