
Sulmuesi i Kosovës, Albion Rrahmani, ka lënë gjurmë në fillim të kampionatit të ri çek.
Ai realizoi golin e parë të ndeshjes për Spartën e Pragës në minutën e 22-të, duke i dhënë epërsinë 1:0 skuadrës së tij.
Ndeshja përfundoi me fitoren 3:2 të Spartës ndaj kundërshtarit në kuadër të javës së dytë të kampionatit.
Rrahmani, 24 vjeç, u largua nga loja në minutën e 53-të, kur rezultati ishte kthyer në 2:1 për kundërshtarin.
Në vend të tij u inkuadrua Lukas Haraslin, i cili pati ndikim të menjëhershëm: asistoi për golin e barazimit dhe më pas realizoi penalltinë e fitores në minutat shtesë të ndeshjes.
“Jam i kënaqur që kemi kualitet në gjithë lojtarët. Më duhet ta lavdëroj Albion Rrahmanin, që ka pasur lojë shumë të mirë. Ai ishte i përfshirë në presing, shënoi gol të rëndësishëm”, ka thënë trajneri i skuadrës, Priske.
Bashkëkombësi i tij, Ermal Krasniqi, nuk u aktivizua dhe qëndroi gjatë gjithë ndeshjes në bankën rezervë.