Roger Federer bëhet sportisti i shtatë miliarder në histori

Roger Federer
#post_seo_title

Ikona e tenisit, Roger Federer (44), është bërë sportisti i shtatë në histori me një pasuri që kapërcen një miliard dollarë, konfirmoi të premten revista prestigjioze Forbes, përcjellë Kërlaçki.

Ylli zviceran, i cili u tërhoq nga tenisi aktiv në vitin 2022, aktualisht zotëron një pasuri të vlerësuar në 1.1 miliardë dollarë – një shumë e konsiderueshme që vjen edhe nga pjesëmarrja e tij si aksioner në markën zvicerane të veshjeve dhe atleteve On.

Gjatë karrierës së tij, Federer fitoi rreth një miliard dollarë vetëm nga kontratat e sponsorizimit dhe aktivitetet jashtë fushës. E veçanta është se ai ishte tenisti më i paguar në botë për plot 16 vite radhazi, edhe pse nga shpërblimet në turne fitoi më pak se rivalët e tij kryesorë, Novak Gjokoviç dhe Rafael Nadal. Për shembull, në vitin 2020, të ardhurat e tij para tatimeve arritën në 106.3 milionë dollarë – më shumë se çdo sportist tjetër në atë vit.

Klubi ekskluziv i miliarderëve

Me këtë arritje, Federer është bërë tenisti i dytë miliarder, pas rumunit Ion Tiriac, i cili e ndërtoi pasurinë pas rënies së komunizmit, përmes investimeve. Në këtë listë të veçantë bëjnë pjesë edhe legjendat e basketbollit Michael Jordan, Magic Johnson dhe LeBron James, si dhe ish-lojtari i Milwaukee Bucks, Junior Bridgeman. Listën e plotë e përmbyll golfisti Tiger Woods, i cili së bashku me James është i vetmi që arriti të bëhej miliarder gjatë kohës që ishte ende aktiv në sport.

Brezi i ri merr stafetën

Forbes publikoi gjithashtu listën e tenistëve aktivë më të paguar në 12 muajt e fundit, ku për të dytin vit radhazi në krye qëndron Carlos Alcaraz, me një fitim prej 48.3 milionë dollarësh. Vetëm Federer, Gjokoviç dhe Naomi Osaka kanë arritur të fitojnë më shumë se kaq brenda një viti.

Pas tij renditet Jannik Sinner, numri një në botë, i cili me rivalitetin ndaj Alcarazit po formëson një epokë të re në tenis. Taliani fitoi 47.3 milionë dollarë – gati dyfish më shumë se një vit më parë. Interesant është fakti se 20.3 milionë dollarë prej kësaj shume vijnë nga shpërblimet e fituara në fushë, një rekord i tretë në historikun e Forbes dhe dukshëm më shumë se Alcaraz.

Në vendin e tretë ndodhet Coco Gauff me 37.2 milionë dollarë, duke u shpallur kështu sportistja më e paguar në botë gjatë vitit të fundit. Ky sukses bën që, për herë të parë që nga viti 2010 – kur kryesonin Federer, Maria Sharapova dhe Nadal – tre pozitat e para të mbahen nga sportistë nën moshën 30 vjeç.

Në total, dhjetë tenistët më të paguar fituan së bashku 285 milionë dollarë – një rritje prej 16% krahasuar me një vit më parë, edhe pse kjo mbetet më pak se rekordi i vitit 2020, kur shifra arriti 343 milionë dollarë.