yuri romano

Yuri Romano

Yuri Romano ishte protagonisti absolut i Italisë në fitoren ndaj Polonisë, që i siguroi “Azzurrëve” finalen e Kampionatit Botëror të Volejbollit për Meshkuj (FIVB 2025). Emocionet ishin të papërmbajtshme për sulmuesin 28-vjeçar, i cili pas ndeshjes nuk i fshehu lotët e gëzimit.

“Italia është sërish në finale, dhe Romano është zemra e këtij suksesi”, ishte reagimi unanim i analistëve pas triumfit 3-0 (25-21, 25-22, 25-23) në “SM Mall of Asia Arena”, ku Italia dominoi kundër një Polonie pa kapitenin e saj Bartosz Kurek.

“Isha shumë i lumtur. Qava pak sepse emocionet ishin të forta. Por tani për ne nis finalja” – tha Romano me sinqeritet pas ndeshjes. Ai shtoi se skuadra duhet të “rindezë motorët” menjëherë: “Tani duhet të rikuperohemi dhe të përgatitemi. Nuk ka kohë për festë – duhet të studiojmë kundërshtarin dhe të jemi gati për një tjetër ndeshje të madhe.”

Romano udhëhoqi ofensivën italiane me 15 pikë (12 sulme, 2 bllokime dhe 1 as) në vetëm 85 minuta lojë. Ai është padyshim njeriu kyç që pritet të udhëheqë ekipin edhe në finalen ndaj surprizës së turneut, Bullgarisë, e udhëhequr nga vëllezërit Aleksandar dhe Moni Nikolov.

Italia kërkon titullin e dytë radhazi dhe për të, energjia, përqendrimi dhe liderët si Romano do të jenë vendimtarë.