Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Rudi Vata, ka lënë të hapur mundësinë që djali i tij, Rocco Vata, të mund të përfaqësojë Shqipërinë në të ardhmen. Në një prononcim për RTSH Sport, Vata theksoi se, ndonëse Rocco aktualisht ka zgjedhur të luajë për Irlandën, asgjë nuk është përfundimtare.
“Rocco ka zgjedhur Irlandën, por ende ka hapësirë për një vendim tjetër. Ekziston një klauzolë: nëse ai luan edhe dy ndeshje zyrtare me Irlandën, atëherë e humb të drejtën për të ndryshuar Kombëtare. Por për momentin, është ende i hapur ndaj çdo opsioni”, tha ai.
Vata shtoi se, nëse do të merrej në konsideratë nga stafi aktual i Shqipërisë, ai e sheh të birin si një alternativë me potencial për ekipin kombëtar.
Kush janë kriteret për të ndryshuar Kombëtare?
Sipas rregullores së FIFA-s, një futbollist që ka luajtur më pak se tre ndeshje me ekipin e parë të një përfaqësuese dhe që i ka zhvilluar ato ndeshje para moshës 21 vjeç, ka të drejtë të ndërrojë përfaqësim kombëtar.
Rocco Vata ka regjistruar vetëm një paraqitje zyrtare me Irlandën e madhe – përballë Bullgarisë në Ligën e Kombeve – në moshën 19-vjeçare. Nëse nuk luan më shumë se dy ndeshje zyrtare me Irlandën, ai ruan mundësinë të përfaqësojë Shqipërinë në të ardhmen.