Zekerija Ramadani - Egzon Bejtullai

Drita do të përballet nesër nga ora 21:00 me Shelbourne, në ndeshjen e tretë të fazës së grupeve në UEFA Europa Conference League. Takimi zhvillohet në Dublin dhe për skuadrën nga Gjilani mbetet vendimtar për objektivat e mëtejshëm evropianë.

Në dy përballjet e para, Drita ka regjistruar dy barazime me rezultat identik 1-1 – fillimisht ndaj KuPS në Finlandë, dhe më pas ndaj Omonias në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Para sfidës, për media janë prononcuar kryetrajneri Zekerija Ramadani dhe kapiteni Egzon Bejtullai, duke theksuar gatishmërinë dhe motivimin e ekipit për një rezultat pozitiv.

Zekerija Ramadani:

“E dimë që na pret një ndeshje e vështirë, përballë një skuadre me traditë dhe shumë trofe. Por kemi ardhur për të dhënë më të mirën dhe për të marrë fitoren e parë.
Kemi disa probleme me lëndime, por jam i bindur se lojtarët që kemi këtu janë shumë të motivuar dhe do ta mbulojnë çdo mungesë.
E kemi analizuar kundërshtarin – një ekip kompakt dhe me disiplinë taktike – por edhe ne kemi cilësitë tona. Nëse kemi një natë të mirë, besoj se mund të dalim me fitore.
Kemi punuar në aspektin mbrojtës dhe sulmues, jemi të përgatitur. Edhe kushtet klimatike janë ideale, nuk kemi çfarë të kërkojmë më shumë.”

Egzon Bejtullai:

“Kemi përballë një skuadër cilësore, por e kemi analizuar në detaje. Nuk kemi ardhur për ndonjë rezultat negativ. Jemi përqendruar te detyrat që na ka dhënë trajneri dhe besoj se do të marrim një rezultat pozitiv që të dalim me kokën lart.
Çdo ndeshje është një përvojë e re për mua, dhe mundohem ta ndihmoj ekipin me përvojën që kam.
Edhe pse kemi disa mungesa, ne kemi grup të fortë, me energji pozitive. Do të japim maksimumin që mungesat të mos ndihen.”

Drita synon fitoren e parë në grupe, dhe me një rezultat pozitiv nesër në Dublin, do të forconte pozitat në garën për kualifikim.