Si një klub me traditë të madhe, Shkëndija ka udhëtuar në Azerbajxhan dy ditë para përballjes me Qarabagin, që zhvillohet të martën nga ora 18:00 sipas kohës sonë lokale, në kuadër të ndeshjes kthyese të raundit të tretë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve.
Takimi i parë në Shkup përfundoi me fitore minimale të skuadrës azere, 0–1, në një përballje ku kuqezinjtë nga Tetova patën raste të mira, sidomos në pjesën e dytë, por nuk arritën të barazonin rezultatin.
Pavarësisht këtij rezultati, Shkëndija tashmë e ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës në fazën e grupeve. Megjithatë, ekipi do të provojë edhe një herë të avancojë në Ligën e Kampionëve dhe, në rast eliminimi, të ketë mundësinë për të luajtur në Europa Ligë.
Nëse Shkëndija arrin të eliminojë Qarabagin, në raundin pasardhës do të përballet me fituesin e çiftit Ludogorets – Ferencvaros. Nëse eliminohet, skuadra do të luajë në “play-off” të Europa Ligës kundër humbësit të së njëjtës përballje mes bullgarëve dhe hungarezëve.