
Vazhdon rënia e Kosovës dhe Shqipërisë në renditje

Në Kosovë, për nga interesimi, shikueshmëria, por edhe shpenzimet mesatare për kokë sportisti, basketbolli tejkalon çdo sport tjetër. Por frutet nuk shihen askund – sidomos te përfaqësuesja.
Kombëtarja e Kosovës, ashtu si edhe ajo e Shqipërisë – e cila megjithatë ka kampionat më pak profesional dhe me më pak shpenzime sesa Kosova – ka rënë për 8 vende në renditjen e FIBA-s, duke zbritur në vendin e 85-të. Shqipëria ka rënë për 2 pozita dhe tani ndodhet në vendin e 97-të.
Të dyja këto kombëtare ndodhen në një grup parakualifikues për EuroBasket 2029, së bashku me Sllovakinë, e cila është favorite në grup.
Kosova ka regjistruar rënien e pestë më të theksuar në nivel global – më keq qëndrojnë vetëm disa përfaqësuese afrikane.
Rendi global: SHBA në krye, Gjermania përpara Serbisë
Në renditjen botërore të FIBA-s, në krye vazhdon të qëndrojë SHBA, e ndjekur nga kampionët evropianë Gjermania, e cila tani ka kaluar Serbinë që renditet e treta. Pasojnë Franca, Kanadaja, Australia, Spanja, etj.
Edhe në Evropë – Kosova në rënie të lirë
Në FIBA Evropë, Kosova shënon rënien më të madhe në mesin e kombëtareve evropiane. Pas saj vijnë Bullgaria (me rënie për 6 vende), Çekia, Ukraina dhe Hungaria (me nga 4 vende secila).
Në këtë ranglistë evropiane, nga 47 vende, Kosova renditet në vendin e 38-të, ndërsa Shqipëria në vendin e 42-të. Pas saj mbesin vetëm pesë shtete, ku përjashtim bën vetëm një shtet më i madh si Azerbajxhani; të tjerët janë Malta, San Marino, Gjibraltari dhe Moldavia.