Projekti 2.8 milionë frangash i Xherdan Shaqirit për një shtëpi në Rheinfelden merr miratimin e radhës, por me kusht të vë perde, shkruan Aargauer Zeitung!
Pas një procesi të zgjatur ligjor që nisi në vitin 2022, ndërtimi i shtëpisë private të Xherdan Shaqirit në Rheinfelden, Kanton Aargau, më në fund po afrohet drejt realizimit. Megjithëse leja fillestare ishte dhënë prej kohësh, katër banorë të zonës kishin paraqitur kundërshtime për shkak të përmasave të projektit, duke e bllokuar nisjen e punimeve.
Gjykatat ndajnë mendime – vendimi final në favor të Shaqirit
Thelbi i kontestit ka qenë hapësira prej 270 metrash katrorë banimi, që sipas fqinjëve dhe Gjykatës Administrative të Aargaut tejkalon normat e shfrytëzimit për një truall prej 1001 metrash katrorë. Megjithatë, në pranverën e vitit 2025, Gjykata Federale vendosi në favor të Shaqirit, duke përjashtuar 84 metra katrorë të katit të papafingos nga llogaritja, pasi konsiderohet tavan dhe jo hapësirë banimi aktive.
Tani, sipas raportimit të gazetës Aargauer Zeitung, përcjellë Kërlaçki edhe Gjykata Administrative ka pranuar këtë vendim, por me një kusht të ri: në dritaret e shtëpisë duhet të instalohen perde apo sisteme për uljen e ndriçimit, për të shmangur ndotjen ndriçuese ndaj fqinjëve, veçanërisht nga ashensori me fasadë prej xhami që ndriçon gjatë natës.
Një rezidencë luksoze në zemër të Rheinfeldenit
Në pronën e tij në lagjen rezidenciale Kapuzinerberg, Shaqiri planifikon të ndërtojë një vilë me apartament të bashkëngjitur, si dhe një pishinë dhe një vaskë me hidromasazh – një projekt që arrin vlerën prej 2.8 milionë frangash. Tashmë, me pengesat më të mëdha ligjore të kapërcyera, ylli i Kombëtares zvicerane është një hap më pranë realizimit të shtëpisë së tij të ëndrrave.