Shtypi serb shpërthen pas humbjes nga Shqipëria në Leskovc

Shtypi serb
Shtypi serb

Humbja e Serbisë nga Shqipëria me rezultat 0:1 në stadiumin e Leskovcit ka shkaktuar valë reagimesh të ashpra në mediat serbe. Titujt flasin për “turp të madh”, “katastrofë të papërmirësueshme” dhe “fund të epokës së Piksit”. Pas golit të vetëm të ndeshjes të shënuar nga Rey Manaj në fundin e pjesës së parë, shtypi serb nuk ka kursyer kritikat ndaj trajnerit Dragan Stojkoviç – Piksi dhe strukturave të futbollit serb.

 

Telegraf.rs: “Turp i madh në Leskovc – Është koha që Piksi të largohet”

“Turp! Një nga më të mëdhenjtë në historinë e kombëtares serbe. Humbja nga Shqipëria, në zemër të Leskovcit, është goditje për krenarinë kombëtare, për qëndrimin e lojtarëve në fushë dhe për atmosferën e ftohtë në tribuna – gjithçka ngjante me një funeral. Për më tepër, ky rezultat ua vështirëson jashtëzakonisht rrugën drejt Kupës së Botës.”

Portali thekson se Shqipëria tani ka katër pikë më shumë se Serbia (me një ndeshje më shumë), ndërsa festimi i Manajt u cilësua “skandaloz”.


MozzartSport: “Turp epik – Shqipëria fiton në zemër të Serbisë”

“Një nga humbjet më të turpshme – nëse jo më e turpshmja – në historinë e përfaqësueses serbe. Fitorja e Shqipërisë në Leskovc është mjaftueshëm vetë si turp. Për më tepër, ajo pothuajse ua ka shuar shpresat ‘Shqiponjave’ për kualifikim në Botëror – 1:0.”


Sport Klub: “Turp dhe katastrofë – Shqipëria fundos Serbinë dhe Piksin”

“Turp pas turpi! Pas debaklit ndaj Anglisë, Serbia tani humbet edhe nga Shqipëria – në shtëpi. Kjo nuk është vetëm një humbje, por një katastrofë për futbollin serb që tashmë është në krizë të thellë.”

Në analizë thuhet se trajneri Stojkoviç ka humbur plotësisht kontrollin dhe me vendimet e tij ka dobësuar edhe më shumë një ekip të dobët. “Nëse Federata e Futbollit të Serbisë do të kishte pavarësi të vërtetë, Piksi do të ishte shkarkuar pas humbjes nga Anglia. Por u la të përmbyllë katastrofën dhe të firmosë një nga humbjet më të turpshme në historinë e futbollit serb”, përfundon artikulli.


B92: “Ditë të vështira për futbollin serb – Shqipëria e turpëron Piksin”

“Debakël në Leskovc! Shqipëria mposht Serbinë 1:0 në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Kjo ndeshje ishte e fundit për Piksin si trajner – ai dha dorëheqje menjëherë pas përfundimit të sfidës. Janë ditë të vështira për futbollin serb”, shkruan B92, duke përcjellë edhe deklaratën e trajnerit në konferencë për media.