Si dështoi transferimi i Nico Williams te Barcelona?

Nico Williams
Nico Williams

Nico Williams refuzoi ofertën e Barcelonës në fillim të kësaj vere dhe vendosi të vazhdojë besnikërinë ndaj Athletic Bilbaos, duke firmosur një kontratë të jashtëzakonshme dhjetëvjeçare me klubin e tij të lindjes. Ky zhvillim tronditi botën e futbollit dhe për Barcelonën ishte një goditje e madhe, pasi interesimi për ta transferuar sulmuesin 23-vjeçar të përfaqësueses së Spanjës ishte shumë i madh.

Sipas të përditshmes sportive spanjolle AS, negociatat mes drejtorit sportiv të Barcelonës, Deco, dhe përfaqësuesit të Williams, Felix Tainta, fillimisht shkuan mirë. Por shumë shpejt, drejtuesit katalanas zbuluan se agjenti po negocionte njëkohësisht edhe me Athleticon për rinovimin dhe përmirësimin e kontratës aktuale.

Kjo situatë shkaktoi pakënaqësi në radhët e drejtuesve të kampionëve të Spanjës. Njëri prej tyre, sipas burimeve, thuhet se ka kontaktuar drejtpërdrejt Williamsin, duke i sugjeruar ta shkarkojë Taintën dhe të punësojë një agjent më me ndikim, si Jorge Mendes apo Pini Zahavi. Pas këtij zhvillimi, bisedimet mes palëve u ndërprenë përfundimisht.

Nico Williams përfaqëson një prej talenteve më premtues në futbollin e sotëm

Nico Williams ka zhvilluar një sezon të furishëm me Athletic Bilbaon në La Ligan 2024–25, ku ka luajtur 29 ndeshje, prej të cilave 22 si titullar, duke grumbulluar 1 998 minuta në fushë. Ai ka realizuar pesë gola dhe ka dhuruar pesë asistime, duke u bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm në repartin ofensiv të ekipit bask.

Me 54 goditje drejt portës, prej të cilave 35 për qind ishin të sakta, ai ka qenë një rrezik konstant për mbrojtjet kundërshtare. Në aspektin teknik, Williams ka realizuar 68 driblime të suksesshme me një efikasitet prej 38.4 për qind, duke konfirmuar cilësitë e tij si një lojtar i shpejtë dhe i pakapshëm në krah. Ka pasur gjithashtu 123 prekje të topit brenda zonës kundërshtare, një tregues i pjesëmarrjes aktive në sulm.

Në total, për të gjitha kompeticionet gjatë sezonit 2024–25, ai ka zhvilluar 45 ndeshje, duke shënuar 11 gola dhe duke asistuar në tetë raste. Gjatë karrierës së tij me Athletic Bilbaon deri më tani, Williams ka regjistruar 132 ndeshje në La Liga, me 16 gola dhe 20 asistime.

Statistikat tregojnë qartë se Nico Williams përfaqëson një prej talenteve më premtues në futbollin spanjoll.