Skandal në futbollin turk: Qindra gjyqtarë të përfshirë në bastvënie

Presidenti i Federatës Turke të Futbollit (TFF), Ibrahim Haciosmanoglu, ka zbuluar një skandal të përmasave të mëdha në sistemin e arbitrimit në Turqi. Gjatë një konference për shtyp të mbajtur më 27 tetor, ai deklaroi se qindra gjyqtarë aktivë në ligat profesioniste janë përfshirë në aktivitete bastesh, përcjellë Hürriyet, duke e cilësuar këtë si një tregues serioz i “korrupsionit” në futbollin turk.

Sipas një hetimi të brendshëm, të mbështetur nga të dhënat e institucioneve shtetërore, rezulton se 371 nga 571 gjyqtarë aktivë kishin llogari bastesh, ndërsa 152 prej tyre kishin vendosur baste aktive.

“Në mesin e tyre janë shtatë gjyqtarë të nivelit më të lartë, 15 asistentë në të njëjtën kategori, 36 gjyqtarë të kategorive më të ulëta dhe 64 asistentë të tjerë”, tha Haciosmanoglu.

Sipas të dhënave, 10 gjyqtarë kishin vendosur mbi 10 mijë baste secili, ndërsa një person kishte vendosur plot 18,227 baste. Gjithashtu, 42 gjyqtarë kanë vendosur baste në mbi 1,000 ndeshje futbolli.

Haciosmanoglu bëri të ditur se procesi disiplinor do të nisë menjëherë, në përputhje me rregulloret e federatës, dhe se informacionet janë ndarë edhe me FIFA-n dhe UEFA-n, si pjesë e një procesi pastrimi në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare të futbollit.

Ai shtoi se hetimi nuk është kufizuar vetëm te gjyqtarët, por ka përfshirë edhe administratën e vetë federatës: “E nisëm nga vetja, përfshirë mua dhe anëtarët e bordit”, deklaroi ai, duke ftuar edhe klubet që të ndjekin këtë shembull dhe të publikojnë transparencën e brendshme.

Në Turqi, bastet sportive janë të ligjshme vetëm përmes një sistemi të kontrolluar nga shteti, ndërsa gjyqtarët, lojtarët dhe zyrtarët ndalohen rreptësisht të vendosin baste në çdo ndeshje. Futbolli turk është përballur më parë me akuza për trukime ndeshjesh dhe rrjete bastesh të paligjshme, sidomos në ligat e ulëta.