Kombëtarja e Sllovenisë ka nisur përgatitjet në Brdo afër Kranjit për dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Kampionatin Botëror: të shtunën kundër Kosovës në orën 20:45 në Ljubljanë dhe të martën e ardhshme ndaj Suedisë në Stokholm. Por, selektorit Matjazh Kek tashmë i dhemb koka, shkruan Dnevnik i Ljublanës.
Sulmuesi kryesor i Manchester United-it, Benjamin Sheshko, pësoi një lëndim në gju gjatë një ndeshjeje të Premier League dhe u largua nga fusha duke çaluar. Ai nuk është paraqitur ende në grumbullim dhe shanset që të bashkohet me ekipin duken të vogla.
“Nga Manchester United nuk kemi marrë ende ndonjë raport mjekësor zyrtar për lëndimin e tij. Kur fola me Šeškon, ishte shumë i shqetësuar. Më tha se do t’i nënshtrohet kontrolleve shtesë. Interesi i kombëtares është i rëndësishëm, por para tij është një karrierë e gjatë, dhe mbi të gjitha, rëndësi ka shëndeti i tij dhe dhjetë vitet e ardhshme me fanellën e Sllovenisë”, – tha Matjazh Kek.
Dëmtime të tjera: Gradishar, Vipotnik dhe pezullimi i Çerinit
Nejc Gradishar, sulmues i Al Ahlyt, mori një goditje në kokë në një ndeshje të Superkupës së Egjiptit, por është bashkuar me përfaqësuesen dhe pritet të jetë i gatshëm për Kosovën. Edhe Zhan Vipotnik kishte probleme me lëndime, por është rikthyer në formacionin bazë të Swanseait. Adam Gnezda Čerin nuk ka të drejtë loje kundër Kosovës për shkak të dy kartonëve të verdhë. Në vend të tij është ftuar Benjamin Verbiç.
Shporar në formë
Një lajm pozitiv për sllovenët është forma e mirë e Andrazh Shporarit. Sulmuesi që tani luan për Slovan Bratislava ka realizuar katër gola dhe ka dhënë një asistim në dy ndeshjet e fundit.
“Shpresoj që lëndimi i Sheshkos të mos jetë i rëndë. Do të na mungojë shumë, por kemi 25 lojtarë dhe do japim gjithçka që të festojmë me tifozët” – tha Shporar.
Si tifoz i Olimpijës dhe se stadiumi i Stozhicës është si shtëpi për të. Ai beson se përkrahja e tifozëve të Kosovës nuk do të ndikojë te përfaqësuesja sllovene.
“Premtuan atmosferë të zjarrtë në Prishtinë, por nuk ndodhi asgjë e tillë. Edhe kur gjysma e stadiumit në Stozhice ishte për Serbinë, nuk pati ndonjë problem për ne. Besoj se do të dominojnë tifozët sllovenë”, – shtoi ai.
Tomi Horvat: “Nuk i frikësohemi askujt”
Për të mbetur në garë për vendin e dytë dhe për kualifikimin nëpërmjet “play-off”-it, Sllovenia duhet të fitojë ndaj Kosovës. Pastaj do të kthejë vëmendjen te përballja me Suedinë dhe rezultati i duhur nga ndeshja Kosovë-Zvicër në Prishtinë.
“Shpresoj që të fitojmë ndaj Kosovës me sa më shumë gola. Për emblemën japim gjithmonë maksimumin. Edhe nëse nuk shënojmë përmes sulmuesve, nuk ka problem – e rëndësishme është të shënojmë. Pas ndeshjes së mirë në Prishtinë, kemi më shumë vetëbesim. Nuk i frikësohemi askujt – as Zvicra nuk pati shumë raste kundër nesh në Stozhice”, – u shpreh Tomi Horvat.