
Më 20 shtator nis edicioni i ri 2025/26 i garave në hendbollin kosovar. Vendimi u mor nga Bordi i Federatës së Hendbollit të Kosovës, të kryesuar nga presidenti Edin Kolgeci.
Xhiroja e parë e Superligës së meshkujve dhe femrave do të zhvillohet më 20 dhe 21 shtator, ndërsa më 13 shtator është paraparë të luhet Superkupa e Kosovës, që tashmë mban emrin “Izet Gjinovci”, në nder të kontributit jetësor të ish-sekretarit të FHK-së.
Lokacioni i këtij takimi pritet të përcaktohet në ditët në vijim.
Bordi miratoi edhe propozicionet e garave për edicionin e ri, ndërsa shorti do të hidhet më 27 gusht.
Gjithashtu u vendos që Isak Osmani të vazhdojë punën si komisar i garave për sezonin 2025/26, pas vlerësimit pozitiv për angazhimin e tij deri më tani.
Në mbledhje u shqyrtuan edhe raportet e pjesëmarrjes së ekipeve kombëtare në Kampionatin Botëror dhe në dy Kampionatet Evropiane. Performanca u cilësua e suksesshme, ndërsa organizimi i Evropianit U17 për hendbolliste mori vlerësimin maksimal.