Thaçi dhe Muja optimistë para sfidës me Larne: “Jemi gati për një hap të madh në Evropë”

Konferenca në Prishtinë
Konferenca në Prishtinë

Në konferencën për shtyp para ndeshjes së dytë ndaj Larne në raundin e dytë të Conference League, kryetrajneri Arsim Thaçi dhe futbollisti Ardian Muja u shfaqën të vendosur dhe optimistë për një paraqitje dinjitoze.

Ata folën për sfidat që ka kaluar skuadra, mungesat në formacion, por edhe për përgatitjen serioze dhe besimin se Prishtina mund të kualifikohet më tej në garat evropiane.

Arsim Thaçi
Arsim Thaçi

Thaçi: Vështirësi të mëdha në udhëtim

Arsim Thaçi: “Jemi përballur me vështirësi të mëdha në klub në udhëtimin në Irlandë të Veriut, të cilat i kanë kushtuar kosto skuadrës. Por në fund arritëm atje ku duhej dhe duhet falënderuar secili që na ka ndihmuar për akomodimin dhe mundësinë e stërvitjeve në Paris. Faleminderit edhe lojtarëve për durimin – me pak më shumë fat, mund ta kishim fituar. Nesër shpresoj të japim maksimumin. Moti është i nxehtë, por pres një paraqitje të mirë dhe një numër të madh tifozësh, sepse Prishtina është interes i madh i futbollit tonë dhe përfaqëson denjësisht ekipin në Evropë.”

Thaçi shtoi: “Kemi ndryshime në formacion, pasi kemi pasur lojtarë të rëndësishëm që janë larguar pa dëshirën e ekipit – por obligimet kontraktuale të detyrojnë. Janë dy lojtarë bazë që i kemi stërvitur por nuk i kemi më. Megjithatë, të gjithë lojtarët kanë dhënë maksimumin dhe, nga ajo që kemi treguar në dy ndeshjet e fundit, jam optimist që do të kalojmë tutje.”

Ardian Muja
Ardian Muja

Muja i gatshëm të kontribuojë në çdo pozitë: “Kam mbështetjen e ekipit”

Ardian Muja, i pyetur për rolin e tij në fushë, theksoi se është i gatshëm të luajë në disa pozita sipas nevojës së skuadrës. “Luaj në disa pozita. Ka qenë edhe kërkesë e trajnerit të paraqitem në një pozitë tjetër. Kam mbështetjen e lojtarëve për çfarëdo pozicioni”, deklaroi ai, duke treguar fleksibilitetin dhe përkushtimin për t’i ndihmuar skuadrës në çdo mënyrë të mundshme.

Ardian Muja: “Kanë qenë dy përballje të vështira (Sheriff dhe Larne), por i kemi marrë shumë seriozisht mëpastaj dhe kemi dhënë më të mirën. Edhe ndaj Sheriffit nuk ishte real rezultati atje, por më pas, në ndeshjen e kthimit, dhe sidomos paraqitja ndaj Larnes, na japin besim se do t’ia dalim të kalojmë raundin”, la mbyllur Muja.