Trajneri i skuadrës skoceze Aberdeen, Jimmy Thelin, ka komentuar përballjen mes Steaua Bukureshtit dhe Dritës, dy ekipeve që luftojnë për të qenë kundërshtari i mundshëm i Aberdeenit në fazën “play-off” të Ligës së Evropës.
Në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues, e zhvilluar të enjten mbrëma në “Arena Nationala” të Bukureshtit, FCSB arriti të përmbysë epërsinë e Dritës dhe të fitojë me rezultat 3:2, përcjellë “Kërlaçki”.
Skuadra kampione e Kosovës kishte kaluar në avantazh 2:0, por nuk arriti ta ruajë rezultatin.
Duke folur për gazetën “Daily Record”, Thelin ka deklaruar se nuk është e lehtë të parashikohet se kush do të kalojë në fazën tjetër, por ka theksuar se skuadra e tij është e përgatitur për sfidën që vjen.
“E pashë që rezultati u përmbys. Drita ishte në epërsi 2:0, ndërsa më pas FCSB fitoi 3:2. Është e vështirë të thuhet se kush do të kualifikohet, por e rëndësishme është që ne do të luajmë në plejof, pavarësisht kundërshtarit. Jemi gati për ndeshjen e radhës”, ka thënë Thelin.
Ndeshja kthyese mes Dritës dhe FCSB-së do të zhvillohet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.