Trajneri i kampionëve të Rumanisë, Elias Charalambous, ka folur me respekt për Dritën para sfidës së parë të raundit të tretë kualifikues në Ligën e Evropës mes FCSB-së dhe Dritës.
Ai ka vlerësuar disiplinën dhe organizimin e skuadrës së Dritës, duke theksuar se përballja do të vendoset në ndeshjen e kthimit, përcjellë “Kërlaçki”.
Bukureshti blindon stadiumin për ndeshjen Steaua-Drita, ky është plani i Xhandarmërisë!
“Kur nuk arrin të fitosh, është e qartë që nuk je i lumtur, por tani jemi të përqendruar te Europa. Ndeshja e nesërme është shumë e rëndësishme për klubin dhe duhet të marrim një rezultat pozitiv”, u shpreh Charalambous.
Sipas trajnerit të FCSB-së, suksesi do të varet nga performanca e skuadrës së tij.
“Drita është një kundërshtar shumë i organizuar, por gjithçka varet nga ne. Duhet të tregojmë versionin më të mirë të vetes dhe të luajmë mirë për të arritur një rezultat të mirë.”
Charalambous paralajmëroi se sfida do të jetë e ndarë në dy pjesë, me ndeshjen vendimtare që do të luhet javën e ardhshme në Prishtinë.
“Nesër do të jetë vetëm pjesa e parë, ndërsa e dyta luhet javën tjetër. Duhet të jemi në një gjendje të mirë dhe të kemi qëndrim pozitiv”.
“Në futboll nuk mund të fitosh gjithmonë. Ndonjëherë ndodhin surpriza, por nuk mund të dorëzohesh kurrë.”
“Do të jetë një ndeshje e vështirë. I kemi analizuar shumë dhe kemi parë që janë të organizuar dhe shumë të disiplinuar,” përfundoi tekniku i FCSB-së.