Turqia mposht Serbinë për herë të parë pas 15 vitesh në një ndeshje zyrtare

TUR-SRB
TUR-SRB

Turqia arriti një fitore historike ndaj Serbisë në ndeshjen e fundit të Grupit A të Eurobasket 2025, duke triumfuar me rezultatin 95-90 në një përballje të drejtpërdrejtë për vendin e parë në grup.

Kjo është fitorja e parë e Turqisë ndaj Serbisë në një ndeshje zyrtare që prej Kampionatit Botëror të vitit 2010. Edhe pse kishin fituar edhe në Lojërat Mesdhetare të vitit 2013, asnjëra skuadër atëherë nuk kishte marrë pjesë me përbërjen e saj më të mirë.

Ndeshja ishte e luftuar dhe e ekuilibruar – asnjë ekip nuk arriti të shkëputet me më shumë se 8 pikë. Turqia udhëhoqi deri në +8, ndërsa Serbia pati avantazhin më të madh prej +6. Por diferencën e bëri ylli i NBA-së, Alperen Sengun, i cilësuar shpesh si “baby Jokic”.

Sengun shkëlqeu me 28 pikë, 13 kërcime dhe 8 asistime, ndërsa për Serbinë më i miri ishte Nikola Jokiç, me 22 pikë, 9 kërcime, 4 asistime dhe 3 topa të vjedhur. Megjithatë, ndryshe nga Sengun, Jokiç nuk pati mbështetjen e duhur nga bashkëlojtarët – lojtari i dytë më efikas për Serbinë ishte Marko Guduriç me 12 pikë, ndërsa për Turqinë, Shane Larkin kontribuoi me 23 pikë të vlefshme.

Me këtë fitore, Turqia siguron vendin e parë në grup dhe në fazën e 1/8-ve do të përballet me Suedinë. Serbia, ndërkohë, do të ndeshet me Finlandën e Lauri Markkanen.

peshiç

Peshiç: “Edhe ne e meritonim fitoren, por Turqia ishte më e saktë në momentet vendimtare”

Pas humbjes ndaj Turqisë, trajneri i Serbisë Svetislav Peshiç u shpreh se skuadra e tij zhvilloi një nga ndeshjet më të mira në turne, por disa detaje bënë diferencën.

“Para së gjithash, dua të uroj Turqinë dhe lojtarët tanë – sepse ishte një ndeshje e shkëlqyer, ndoshta më e mira jonë deri tani në këtë kampionat. Edhe ne luajtëm mirë, por fitoren e vendosën disa detaje – për shembull, shumë trepikësha të saktë nga turqit. Në fund, na duhej të ishim perfektë dhe të kontrollonim kërcimet, gjë që sipas mendimit tim e arritëm”, tha Peshiç.