
Brooke Hogan ka ndarë publikisht një homazh emocional për babain e saj të ndjerë, Hulk Hogan, ndërsa njëkohësisht ka sqaruar raportin e tensionuar që kishte me të në vitet e fundit të jetës së tij.

Ish-ylli i reality show-t, sot 37 vjeç, ka publikuar në Instagram mesazh të gjatë dhe prekës për të atin, emri i vërtetë i të cilit ishte Terry Bollea. Në postimin e saj, Brooke përshkruan gjendjen shëndetësore të babait gjatë viteve të fundit dhe zbardh arsyet e largimit të saj nga ai.
“Kur u largua nga kjo botë, pata ndjesinë sikur një pjesë e shpirtit tim iku me të” ka shkruar ajo. “E ndjeva përpara se lajmi të na mbërrinte. E di që tani është në paqe, larg dhimbjes, në një vend aq i bukur sa e kishte përfytyruar. Ai fliste për këtë moment me aq shpresë dhe admirim, sikur takimi me Zotin të ishte kampionati më i madh që do fitonte ndonjëherë”.
Më tej, Brooke thotë se ishte e nevojshme të sqaronte disa keqkuptime. Sipas saj, largimi nuk kishte ndodhur për shkak të një zënke apo një momenti të vetëm.
“Ishte një sërë telefonatash private që askush nuk do t’i dëgjojë apo kuptojë ndonjëherë”, ka rrëfyer ajo. “Ai më besonte çështje që i rëndonin në zemër, si personale ashtu edhe profesionale. I ofrova mbështetjen time, i kërkova të pushonte, të kujdesej për veten”.
Brooke dhe bashkëshorti i saj, ish-lojtari i NHL Steven Oleksy, u zhvendosën në Florida për të qenë më pranë tij gjatë periudhës së vështirë. “Kaluam së bashku gati 25 ndërhyrje kirurgjikale. Pastaj, papritur, nuk më donte më pranë në operacione… gjithçka u mbulua nga një mjegull e trashë. Ishte sikur rreth tij kishte një fushë të padukshme ku nuk mund të hyja”.
“Fjalët e tij, ndjeshmëria, dëgjimi i lutjeve të mia… e gjitha ndryshoi. Ai zgjodhi një rrugë që, për mendimin tim, e copëzoi shpirtin e tij”, shkruan Brooke. “Ndodhi një shkëputje. Pasuan mosmarrëveshje të respektueshme, por emocionalisht të lodhshme për mua”.
“Gjatë dy viteve të fundit, u detyrova të largohem për të mbrojtur zemrën time”, shton ajo.
Ndërkohë, Oleksy vazhdoi të qëndronte në kontakt me Hulk, duke kërkuar një mënyrë të sigurt për të rikthyer marrëdhënien e tyre. Pas vdekjes së babait të saj, Brooke zbuloi ato mesazhe – disa të lexuara, disa të shpërfillura – të cilat “i thyen zemrën”.
“E di që bëra gjithçka që munda”, shkruan ajo. “Ai e dinte që do të vrapoja nëpër zjarr për të. Dhe në shumë mënyra, gjatë jetës, e bëra. Ai e dinte sa thellë, fort dhe pastër e doja. Jam në paqe me veten, sepse e di që ai e dinte këtë”.
Postimi emocionues u publikua pesë ditë pas vdekjes së Hulk Hogan më 24 korrik, në Clearwater Beach, Florida, ku shërbimet emergjente u thirrën në orën 9:51 të mëngjesit.
Hulk kishte edhe një djalë, Nick, nga martesa me Linda Hogan. Brooke nuk mori pjesë në dasmën e tij me gruan e tretë, Sky Daily, në shtator 2023. Mungesa e saj u komentua nga nëna e saj në një Story në Instagram në mars 2025, “Brooke nuk flet më me ne. Ka lindur binjakë, është martuar dhe nuk na ka thënë asgjë”, tha Linda, 65 vjeç.
Pas largimit nga vëmendja publike, Brooke u angazhua në fushën e dizajnit dhe hapi kompaninë BB Designs by Brooke në vitin 2018. Ajo u martua me Oleksy në vitin 2022 dhe në janar 2025, çifti njoftoi lindjen e binjakëve, Oliver Andrew dhe Molly Gene.
Krahas homazhit të saj, shumë figura të njohura si Dwayne Johnson, Sylvester Stallone dhe John Cena kanë ndarë mesazhe ngushëllimi dhe mirënjohjeje për legjendën e mundjes Hulk Hogan.