Zekirija Ramadani nuk do të ndryshojë formacionin as në ndeshjen kthyese ndaj Copenhagenit

Drita sot në aksion

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka marrë një vendim të qartë për sfidën e kthimit ndaj FC Copenhagen në “Fadil Vokrri” – nuk do të bëjë ndryshime në formacion.

Pas ndeshjes së parë të zhvilluar në stadiumin “Parken” të Kopenhagës, ku Drita u përball me një kundërshtar të fortë dhe favorit absolut si kampionia e Danimarkës (2-0), Ramadani ka vendosur t’i besojë të njëjtës njëmbëdhjetëshe, duke ruajtur kohezionin dhe ekuilibrin në lojë.

Vendosmëria e trajnerit shqiptar vjen si vazhdimësi e filozofisë së tij për të ndërtuar një skuadër kompakte dhe të disiplinuar taktikisht. Ai beson se qëndrueshmëria në formacion është çelësi për të luftuar deri në fund për një rezultat pozitiv, përkundër vështirësisë që sjell emri i madh i kundërshtarit.

Copenhagen   Drita
Copenhagen Drita

Faton Maloku pritet të jetë sërish në portë, ndërsa në mbrojtje do të rreshtohen Besnik Krasniqi, Juan Camilo Mesa, Egzon Bejtullai dhe Raddy Ovouka. Rron Broja dhe Albert Dabiqaj do të jenë në boshtin e mesfushës, me Vesel Limajn si lidhja mes linjave dhe organizatori i aksioneve.

Në fazën ofensive, Drita do të mbështetet te kreativiteti i Almir Ajzerajt dhe Liridon Balajt në krahë, ndërsa Arb Manaj do të udhëheqë repartin e sulmit – me synimin për të realizuar golin që mund ta mbajë gjallë ëndrrën evropiane të ekipit nga Gjilani.

Drita
Drita

Ramadani, që është vlerësuar për përgatitjen serioze dhe strategjinë e tij në Evropë, e sheh këtë përballje si një test krenarie dhe karakteri për klubin kampion të Kosovës.

Në sytë e tij, ndeshja kthyese nuk është vetëm një formalitet, por një mundësi për të treguar forcën e Dritës para tifozëve në Prishtinë.

 

Formacioni i mundshëm i Dritës