
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, është shprehur i kënaqur me barazimin dramatik që skuadra e tij mori në Finlandë ndaj KuPS-it, duke theksuar rëndësinë psikologjike të këtij rezultati.
“Jemi të kënaqur me një pikë. Ndoshta nuk do të ketë ndikim të madh në tabelë, por psikologjikisht vlen shumë. Po kthehemi të pamposhtur nga një udhëtim i vështirë dhe kjo do t’i ndihmojë lojtarëve në aspektin moral. Sigurisht, synimi është të jemi më të mirë në ndeshjet e ardhshme,” deklaroi Ramadani.
Ai u ndal edhe te karakteri i skuadrës:
“Me karakterin që kam, nuk ia lejoj lojtarëve të mendojnë se janë inferiorë. Nëse luajmë thjesht dhe me guxim, mund të jemi të rrezikshëm për çdo kundërshtar. As unë dhe as ekipi im nuk duhet të ndihemi inferiorë ndaj askujt.”
Ramadani foli edhe për gjendjen e sulmuesit Veton Tusha, i cili u detyrua të largohej me barelë në minutën e 29-të.
“Lëndimi i Vetonit na mërziti shumë. Edhe në janar kishte pasur probleme shëndetësore. Tani është dërguar në spital, por sipas informacioneve të para është në vetëdije, në gjendje stabile”.
”Ai flet, nuk ka humbur ndjenjat. Ka dhimbje, por presim rezultatet e ekzaminimeve. Do ta vizitojmë sapo të largohemi nga stadiumi,” u shpreh trajneri i Dritës.