ZYRTARE: Ardon Jashari është futbollist i Milanit!

Ardon Jashari
Ardon Jashari

Milani ka zyrtarizuar të mërkurën transferimin e mesfushorit Ardon Jashari.

Jashari vjen nga klubi belg Club Brugge dhe ka nënshkruar kontratë me kuqezinjtë deri në vitin 2030.

Mesfushori, i cili përfaqëson Zvicrën në arenën ndërkombëtare, është lindur në Cham të Zvicrës dhe karrierën e ka nisur te klubi Luzern.

Ai debutoi me ekipin e parë të Luzernit në korrik të vitit 2020.

Pas 102 paraqitjesh dhe nëntë golash të shënuar me Luzernin, Ardon Jashari, 23 vjeç, u transferua te Club Brugge në verën e kaluar.

Gjatë sezonit të tij të parë me skuadrën belge, ai zhvilloi 52 ndeshje, shënoi katër gola dhe ishte një nga lojtarët kyç në rrugëtimin drejt fitores së Kupës së Belgjikës.

Ardon Jashari

Përveç sukseseve kolektive, Jashari shkëlqeu edhe në aspektin individual. Ai u shpall lojtari më i mirë i sezonit në elitën belge dhe gjithashtu mori çmimin si lojtari më i mirë i ri në edicionin e tij debutues.

Në nivel ndërkombëtar, Jashari ka katër paraqitje me përfaqësuesen e Zvicrës, duke debutuar në shtator të vitit 2022.

Te Milani, mesfushori shqiptar nga Zvicra do ta mbajë fanellën me numrin 30.

Sipas mediave italiane, transferimi i tij është realizuar për shumën prej 39 milionë eurosh, duke e bërë atë shitjen e katërt më të shtrenjtë në historinë e Club Brugge.

Jashari është përforcimi i pestë i Milanit në këtë afat kalimtar veror, pas Luka Modrićit, Samuele Riccit, Pervis Estupiñánit dhe Pietro Terracianos.

Ardon Jashari
Ardon Jashari