
Llapi ka njoftuar vazhdimin e kontratave me dy prej lojtarëve më të çmuar të klubit, Arianit Hasani dhe Elvir Gashijani, të cilët do të jenë bardhekaltër deri në vitin 2027.
Dyshja Hasani – Gashijani kanë treguar besimin e tyre në projektin afatgjatë të klubit, duke zgjedhur të vazhdojnë rrugëtimin me Llapin dhe të kontribuojnë drejt sukseseve të përbashkëta, thuhet në njoftimin e Llapit.
Po ashtu shtohet se: “Klubi ynë ndihet krenar që në gjirin e tij ka futbollistë të tillë, të cilët tashmë janë cilësuar si “diamantët e Llapit”, me pritshmëri që shumë shpejt të shndërrohen në emra të mëdhenj edhe në futbollin evropian”.
Në fund nuk kishte si të mungonte një lavdatë për trajnerin Tahir Batatina, nga klubi që ai drejton.
“Një rol vendimtar në rritjen dhe zhvillimin e tyre ka pasur edhe trajneri Tahir Batatina, i cili u ka besuar jashtëzakonisht shumë dhe vazhdon të besojë se, me punën dhe përkushtimin e tyre, do të transferohen së shpejti në klube evropiane. Prania e tyre në skuadër është garanci për cilësi, spektakël dhe gola të jashtëzakonshëm në fushë”, shkruan njoftimi i Llapit.