Përfaqësuesja e Serbisë në futboll ka pësuar një disfatë të rëndë në Leskovc, ku u mposht nga Shqipëria me rezultat 0:1. Pas ndeshjes, në konferencën për media, selektori Dragan Stojkoviç – i njohur si Piksi – ka njoftuar dorëheqjen nga posti, ashtu siç kishte paralajmëruar më herët edhe portali Telegraf, përcjellë Kërlaçki.
“Ta them troç, tashmë kam zhvilluar bisedë me presidentin dhe sekretarin e përgjithshëm. Kam ofruar dorëheqjen time, natyrisht. Nuk e prisja këtë humbje, aq më pak nga ekipi që është rivali kryesor. Marr përgjegjësinë, jam i vetmi fajtor. Për këtë nuk ka diskutim. Mos u shqetësoni – më vjen keq që humbëm, por… kështu është në sport, në jetë, në futboll. Do të ketë kohë për të folur për gjëra të tjera. Por si person përgjegjës, dhe këtë e kam treguar shumë herë, unë kam ofruar dorëheqjen”, deklaroi Stojkoviç.
Dorëheqja e tij vjen në një moment kritik për përfaqësuesen serbe, ndërsa fitorja historike e Shqipërisë në tokën serbe pritet të ketë jehonë të gjerë në futbollin rajonal.