
Njëri prej fundorëve më të mirë vendorë në basketbollin kosovar, Don Polloshka, është rikthyer zyrtarisht te Sigal Prishtina.
Klubi kryeqytetas bëri të ditur të martën se ka arritur marrëveshje me lojtarin gjakovar, i cili do të jetë pjesë e skuadrës për edicionin e ri.
Polloshka vjen pas tri sezoneve të suksesshme te Vëllaznimi, ku u shndërrua në një nga lojtarët më të spikatur vendorë në Superligën e Kosovës.
Me përkushtimin, lidershipin dhe kontributin konstant në parket, ai ishte një prej shtyllave kryesore të skuadrës gjakovare.
Ky nuk është kapitulli i tij i parë me Prishtinën.
Fundori i njohur ka qenë për shumë vite pjesë e klubit bardhekaltër dhe rikthimi i tij pritet të jetë një përforcim i rëndësishëm në ndërtimin e ekipit për sezonin e ardhshëm.
Javën e kaluar Prishtina mori edhe Arian Azemin nga Vëllaznimi.
