
Romano ka konfirmuar transferimin më të madh në historinë e Premier League.
Alexander Isak (25) sulmuesi i Newcastle dhe i përfaqësueses i Suedisë, me një vlerë tregu prej 120 milionë eurosh sipas Transfermarkt, ka kaluar zyrtarisht te Liverpool për 150 milionë euro – shifra më e lartë e paguar ndonjëherë për një lojtar në historinë e Premier League.
Lajmi u bë i ditur pas mesnate, në ditën e fundit të merkatos, nga gazetari i njohur Fabrizio Romano, i cili e shoqëroi publikimin me shprehjen e tij të famshme “Here we go!” që sinjalizon përmbylljen e marrëveshjes.
Liverpool thyen për herë të dytë rekordin anglez këtë verë
“Marrëveshja është arritur për 130 milionë paund, që përbën një rekord absolut për Premier League. Isak do t’i nënshtrohet sot testeve mjekësore si lojtari më i ri i Liverpoolit, pasi muaj më parë kishte arritur marrëveshje personale për një kontratë afatgjatë me klubin. Ai e kishte bërë të qartë se dëshironte vetëm Liverpoolin”, shkruan Romano.
E konvertuar në euro, shuma arrin në 150 milionë – duke e pozicionuar Isakun si blerjen më të shtrenjtë në historinë e kampionatit anglez. Ky është rekord i dytë i thyer këtë verë nga Liverpool, pas transferimit të Florian Wirtz nga Bayer Leverkusen për 125 milionë euro.
Top 5 transferimet më të shtrenjta në historinë e futbollit anglez:
-
Alexander Isak – nga Newcastle te Liverpool, për 150 milionë euro
-
Florian Wirtz – nga Bayer Leverkusen te Liverpool, për 125 milionë euro
-
Enzo Fernandez – nga Benfica te Chelsea, për 121 milionë euro
-
Jack Grealish – nga Aston Villa te Manchester City, për 117.5 milionë euro
-
Declan Rice – nga West Ham te Arsenal, për 116.6 milionë euro
Transferimi i Isak është gjithashtu i treti më i shtrenjtë në historinë e futbollit botëror. Më lart renditen vetëm dy super-transferimet e PSG-së: Neymar dhe Kylian Mbappé.
Transferimet më të mëdha në historinë e futbollit:
-
Kylian Mbappé – nga Monaco te PSG, për 180 milionë euro
-
Alexander Isak – nga Newcastle te Liverpool, për 150 milionë euro
-
Ousmane Dembélé – nga Borussia Dortmund te Barcelona, për 148 milionë euro
-
Philippe Coutinho – nga Liverpool te Barcelona, për 135 milionë euro
Ylli që shkëlqeu në Newcastle, por refuzoi të vazhdonte aty
Isak shpërtheu te klubi suedez AIK, prej nga u transferua te Borussia Dortmund në janar të vitit 2017 për 8.6 milionë euro. Pas dy viteve e gjysmë, u shit te Real Sociedad për 15 milionë euro. Në verën e vitit 2022, Newcastle e bleu për 70 milionë euro.
Me fanellën e Newcastle, ai luajti 109 ndeshje, duke shënuar 62 gola dhe dhënë 11 asistime. Edhe pse kishte kontratë deri në vitin 2028, insistimi i tij për t’u bashkuar me Liverpoolin ishte i qartë që prej fillimit të verës. Me kombëtaren e Suedisë ka zhvilluar 52 ndeshje dhe ka realizuar 16 gola.