Ismet Munishi pas fitores ndaj Gjilanit: Të gjithë kritikojnë kundërshtarin, askush s’e vlerëson lojën tonë

ismet munishi
Ismet Munishi

Trajneri i Dukagjinit thekson rëndësinë e suksesit kundër Gjilanit dhe analizon startin e Superligës ekskluzivisht për Kërlaçkin.

Pas fitores me rezultat 2-0 ndaj Gjilanit në javën e dytë të AlbiMall Superligës, trajneri i Dukagjinit, Ismet Munishi, ka reaguar ndaj kritikave që i janë adresuar skuadrës kundërshtare, duke theksuar se meritat për fitoren duhen kërkuar edhe në paraqitjen pozitive të ekipit të tij.

“E dinim që përballja me Gjilanin do të ishte jashtëzakonisht e vështirë. Pas humbjes me Prishtinën, kishim marrë kritika të ashpra për gabimet e rënda, si individuale ashtu edhe kolektive. Kemi punuar intensivisht gjatë javës për të përmirësuar këto mangësi”, deklaroi Munishi për Kërlaçki.

ismet munishi
ismet munishi

Ai shtoi se ekipi kishte analizuar në detaje lojën e Gjilanit dhe kishte punuar për të neutralizuar rreziqet, por gjithsesi kundërshtari arriti të krijonte vështirësi.

“Më vjen keq që të gjithë janë fokusuar te kritikat ndaj Gjilanit, ndërsa askush nuk e ka vlerësuar paraqitjen tonë të mirë. Nuk është se ata luajtën dobët – ne thjesht bëmë një ndeshje të mirë. Kjo është analiza ime”, theksoi Munishi.

munishi
ismet munishi

Superliga, një kampionat i vështirë dhe i paparashikueshëm

Duke folur për ecurinë e kampionatit, Munishi vlerësoi startin e Prishtinës, duke theksuar se është skuadra e vetme nga ato që morën pjesë në garat evropiane që ka nisur me këmbë të mbarë sezonin.

“Është një kampionat shumë i vështirë. Kemi ekipe si Ballkani, Drita, Malisheva… por nga të gjitha këto që luajtën në Evropë, vetëm Prishtina ka startuar mirë. Duhet përgëzuar Ferizaji për një nisje të shkëlqyer. Mbetet një sezon shumë sfidues”, tha ai.

Munishi u shpreh i kënaqur edhe për rikthimin e tifozëve në stadiume, duke e cilësuar këtë si një nga zhvillimet më pozitive të sezonit.

“Shikueshmëria në stadiume është kthyer. Disa klube janë organizuar më mirë, të tjera kanë arritur ta zgjidhin situatën brenda grupit të tyre, duke rikthyer entuziazmin te tifozët. Ky është lajmi më i mirë i këtij edicioni”, përfundoi Munishi.